The Guardian vë në pikëpyetje pretendimet e Trump se i ka dhënë fund gjashtë luftërave, përfshirë Kosovën e Serbinë - Gazeta Express
string(114) "the-guardian-ve-ne-pikepyetje-pretendimet-e-trump-se-i-ka-dhene-fund-gjashte-lufterave-perfshire-kosoven-e-serbine"

Lajme

Gazeta Express

19/08/2025 10:41

The Guardian vë në pikëpyetje pretendimet e Trump se i ka dhënë fund gjashtë luftërave, përfshirë Kosovën e Serbinë

Lajme

Gazeta Express

19/08/2025 10:41

Trump dhe administrata e tij pretendojnë se kanë ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve nga Lindja e Mesme në Azi, megjithatë realiteti është më kompleks, ka shkruar The Guardian në një artikull ku analizon deklaratat e Trump se ka ndalë gjashtë luftëra, përfshirë edhe Kosovën e Serbinë, transmeton Gazeta Express.

Teksa reklamonte meritat e tij si i ashtuquajturi “kryepaqebërës” gjatë bisedimeve për Ukrainën në Shtëpinë e Bardhë të martën, Donald Trump bëri dy pretendime të mëdha: se ai dëshiron marrëveshje paqeje dhe jo armëpushime dhe se ka përfunduar gjashtë luftëra që kur u bë president.

Por në nxitimin e tij për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë, Trump po luan lirshëm me të vërtetën.

Trump dhe administrata e tij kanë pretenduar se kanë ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve midis Izraelit dhe Iranit, Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, Kamboxhias dhe Tajlandës, Indisë dhe Pakistanit, Serbisë dhe Kosovës, si dhe Egjiptit dhe Etiopisë.

Megjithatë, pretendimi për t’i dhënë fund atyre konflikteve është i zbukuruar dhe, në disa raste, kundërshtohet nga dhuna e vazhdueshme në vende si Republika Demokratike e Kongos, ku rebelët e mbështetur nga Ruanda nuk arritën të respektonin afatin për një marrëveshje paqeje në Doha të martën.

Në Iran, SHBA ndërmori vetë sulme duke përdorur bomba depërtuese për të goditur objektiva ushtarake dhe bërthamore, përpara se ta detyronte Iranin të pranonte një armëpushim. Ndërkohë, India ka mohuar që Trump të ketë luajtur ndonjë rol në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi me Pakistanin për t’i dhënë fund disa ditëve të sulmeve mbi territorin e diskutueshëm të Kashmirit në maj.

Egjipti dhe Etiopia nuk kanë asnjë marrëveshje për të zgjidhur rrënjën e konfliktit të tyre – një digë në lumin Nil të ndërtuar nga Etiopia që do të devijonte ujin nga Egjipti. Dhe Serbia ka mohuar se kishte ndonjë plan për të nisur një luftë me Kosovën, megjithëse Trump mori meritën për parandalimin e saj.

Në lidhje me armëpushimet, Trump vetë ka pranuar se shpesh i ka kërkuar ato në këto konflikte. Por tani, ai po përpiqet të rishkruajë historinë, duke ushtruar presion mbi Ukrainën.

Deklarata e Trump se nuk po kërkonte armëpushim në Ukrainë erdhi pas takimit me Vladimir Putin në Alaska javën e kaluar, ku presidenti rus fillimisht kërkoi që Ukraina të hiqte dorë nga kontrolli mbi territorin në juglindje të vendit përpara se të negocionte një armëpushim.

Kjo çështje është vendimtare për përcaktimin e rrugës drejt paqes në Ukrainë: Putini dëshiron të vendosë se cilin territor do të mbajë Rusia ndërsa luftimet ende vazhdojnë, ndërsa Kievi ka kërkuar që armët të heshtin në një armëpushim përpara se të merret ndonjë vendim për pretendimet territoriale.

Në takimet e së hënës me udhëheqësit europianë, Trump kishte thënë se nuk po kërkonte më një armëpushim.

“Nëse shikoni gjashtë marrëveshjet që kam arritur këtë vit, të gjitha ishin në luftë. Unë nuk bëra asnjë armëpushim”, deklaroi Trump, duke i thënë Zelenskyt: “Nuk mendoj se keni nevojë për një armëpushim.”

Por historia e tij flet ndryshe. Më 10 maj, pas shpërthimit të dhunës midis Indisë dhe Pakistanit, Trump njoftoi: “Pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, jam i kënaqur të njoftoj se India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një ARMPUSHIM TË PLOTË DHE TË MENJËHERSHËM. Urime të dyja vendeve për përdorimin e Logjikës së Shëndoshë dhe Inteligjencës së Madhe”.

Më 26 korrik, Trump tha se po telefononte udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias për të kërkuar një armëpushim pas tre ditësh luftime në kufi. “Biseda me Kamboxhinë ka përfunduar, por pritet të telefonoj përsëri për ndalimin e luftës dhe armëpushimin bazuar në atë që do të thotë Tajlanda,” shkroi ai. “Po përpiqem të thjeshtoj një situatë komplekse!”

Dhe për Izraelin dhe Iranin, Trump kishte shkruar gjithashtu: “Është rënë dakord plotësisht nga dhe midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një ARMPUSHUMBIM të Plotë dhe Total”.

MSNBC, stacioni televiziv amerikan i lajmeve, postoi një përmbledhje të Trump duke bërë thirrje për një armëpushim në Ukrainë në javët dhe ditët para takimeve të tij me Putinin dhe më pas me Zelenskyn.

Por Trump – duke kërkuar një fitore të shpejtë – ka rishkruar historikun e tij ndërsa afrohet gjithnjë e më shumë me një plan veprimi të mbështetur nga Putini për t’i dhënë fund një konflikti që ka rezultuar shumë më i vështirë për t’u zgjidhur sesa kishte menduar më parë.