Beogradi po udhëheq procesin e destabilizimit të Malit të Zi me qëllim për të rritur ndikimin e vet politik dhe nacional në këtë shtet. Kwshtu deklaroi Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, në një intervistë për gazetën Pobjeda.
“Kur e dimë se gjithçka rreth Pavle Gjurishiqit është iniciativë e Kishës Ortodokse Serbe dhe se këtë e mbështesin partitë pro-serbe, kjo do të thotë se fijet po tërhiqen nga Beogradi, me qëllim përfundimtar destabilizimin e Malit të Zi”, tha Popov.
Ai thekson se Beogradi ende e konsideron Malin e Zi si “pronë të vet” dhe nëse situata në vend bëhet më e paqëndrueshme, atëherë autoritetet serbe mund të ndërhyjnë më lirshëm në punët e brendshme të Podgoricës.
“Gjithçka që ndodh rreth përmendores së Gjurishiqit çon drejt ndarjeve të reja: qytetarët antifashistë ndihen të tmerruar, ndërsa te përkatësit e kombeve të tjera – si boshnjakët – shkaktohet frikë dhe pasiguri. Kjo është rruga drejt fashizimit dhe legjitimimit të asaj që kanë bërë çetnikët, gjë e papranueshme në çerekun e parë të shekullit XXI”, shtoi ai.
Popov vëren se historia po rishkruhet në tërë rajonin, jo vetëm në Mal të Zi, dhe se forcat nacionaliste po marrin hov për shkak të mungesës së vëmendjes nga faktori ndërkombëtar.
“Rajoni është jashtë fokusit të BE-së dhe SHBA-ve. Ata janë të zënë me krizat në Ukrainë, Gazë dhe Izrael dhe duket se nuk e kuptojnë seriozisht se çfarë po ndodh këtu”, thotë Popov.
Duke e përmbyllur intervistën, Popov theksoi se situata në rajon është gjithnjë e më e brishtë dhe pa presion të jashtëm mund të ndodhin zhvillime serioze destabilizuese.
“Faktorët kyç ndërkombëtarë nuk po shohin se Ballkani ka qenë gjithmonë një fuçi baruti dhe se tani shumë gjëra janë në kufi. Me përshkallëzimin e situatës, mund të kemi ngjarje që do të destabilizojnë Ballkanin dhe Evropën, ashtu si në vitet ’90”, paralajmëroi Popov për Pobjedën.