Baraliu pas aktgjykimit të Kushtetueses: Kuvendi të mblidhet urgjentisht, s’ka më arsyetime - Gazeta Express
string(88) "baraliu-pas-aktgjykimit-te-kushtetueses-kuvendi-te-mblidhet-urgjentisht-ska-me-arsyetime"

Lajme

Gazeta Express

19/08/2025 8:10

Baraliu pas aktgjykimit të Kushtetueses: Kuvendi të mblidhet urgjentisht, s’ka më arsyetime

Lajme

Gazeta Express

19/08/2025 8:10

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vendimi i saj duhet të përshpejtojë konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Baraliu e cilësoi situatën si të padrejtë dhe të dëmshme, të shkaktuar nga kalkulimet politike, duke bërë thirrje që Kuvendi të mblidhet brenda pak ditësh.

“Pritet që të konstatohet domosdoshmëria e Kuvendit dhe të përfundojë kjo sagë e paarsyeshme, e padrejtë, e dëmshme madje e pandershme, që ka qenë në fakt kalkulim dhe lojë absurde politike e subjekteve politike të dy blloqeve për të ardhur në fund deri tek shkelja e Kushtetutës, mosrespektimi i afatit prej 30 ditësh, me aktgjykimin e parë të respektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Baraliu.

Sipas Baraliut, moskonstituimi i Kuvendit dhe vonesat e qëllimshme nga subjektet politike janë jo vetëm të pajustifikueshme, por përbëjnë shkelje të qartë të Kushtetutës dhe përbuzje të vullnetit qytetar.

“Prandaj ky vendim jep mundësinë edhe një herë këtyre subjekteve politike, kësaj klase politike të papërgjegjshme, që përfundimisht dhe domosdoshmërisht, urgjentisht jo për 30 ditë, por brenda dy-tre ditëve të paktën ta konstituojnë Kuvendin dhe të hapet rruga për formimin e qeverisë dhe formimin e institucioneve dhe stabilizimin e situatës politike dhe tejkalimin e kësaj bllokade dhe paralize totale politike që është me pasoja të jashtëzakonshme dhe me dëme të mëdha për shtetin”, shtoi ai.

Profesori shtoi se se çdo vonesë e mëtejshme është shkelje e rëndë dhe dëshmi se këta liderë nuk janë për shtetin, por kundër tij.

“Nëse vazhdon njëjtë, atëherë nuk ka shpjegim – këta njerëz, kjo klasë politike, liderë politikë dhe të gjithë deputetët, respektivisht secili prej tyre, dëshmojnë që abuzojnë me besimin e popullit dhe nuk janë për këtë shtet, por janë kundër shtetit, dhe kjo është e tmerrshme, e papranueshme dhe e paimagjinueshme. Nuk mund ta imagjinoj që do t’i bëjnë gabimet e njëjta në cilësinë e deputetëve për të mos e kryer detyrën e tyre që iu ka dhënë qartazi kësaj radhe Gjykata Kushtetuese në përgjigjet e dy subjekteve politike për ta konstituar Kuvendin”, potencoi profesori.

Pas këtij aktgjykimi, pritet që Kuvendi i Kosovës të thërrasë seancën e radhës dhe të nisë procesin e konstituimit, çka do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë dhe kthimit të funksionimit të rregullt institucional.