Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur zyrtarisht procesin e regjistrimit fillestar të pronave në zonat kadastrale të Pocest dhe Maqellarë, në bashkinë Bulqizë.
Ky proces është pjesë e nismës kombëtare që përfshin gjithsej 106 zona kadastrale nga Elbasani deri në veriun e vendit.ASHK bën të ditur se, aktualisht ekipet e Kadastrës janë në terren në bashkitë: Malësi e Madhe, Shkodër, Mirditë, Vau i Dejës, Fushë-Arrëz, Tropojë, Has, Bulqizë, Dibër, Kukës, Krujë dhe Elbasan.
Gjatë kësaj faze, grupet e punës do të informojnë banorët mbi procedurat ligjore të regjistrimit, do të kryejnë matjet dhe verifikimin e kufijve të pronave, si dhe do të sigurojnë të dhëna të sakta në bashkëpunim me pronarët dhe pushtetin vendor.
Kadastra fton qytetarët e përfshirë në proces të bashkëpunojnë me ekipet në terren, duke ofruar çdo informacion apo dokument që ndihmon në një regjistrim sa më të saktë dhe transparent të pronave.“Bashkëpunimi me banorët është çelësi për një proces të shpejtë dhe të besueshëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.