Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi sot punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, ku po punohet për ndërtimin e stacioneve të kësaj linje hekurudhore.
Balluku tha se “tashmë kemi hyrë në një fazë të avancuar të punimeve për ndërtimin e stacioneve, që e bën këtë projekt më afër realizimit të tij me kushte bashkëkohore dhe sipas standardeve më të mira”.
Sipas saj, aktualisht po punohet në 8 kantiere për ndërtimin e Stacionit të ri të Trenit në Tiranë (që po ndërtohet në vendin ku ka qenë dikur ky stacion); stacioni në Kashar, në Vorë, Sukth, Shkozet dhe stacioni në Durrës, që do të rikonstruktohet.
Balluku bëri të ditur se, risi e këtij projekti është ndërtimi i stacionit të ri në Rinas sipas të gjithë parametrave, që do të krijojë lidhjen e aeroportit me Stacionin e Trenit, ndërsa stacioni Epoka është stacion me një strehë që krijohet për të lehtësuar studentët.
“Projekti në Stacionin e Trenit në Tiranë, parashikon një ndërtesë qendrore me peronët nëntokë, katin zero, që do të jetë komercial dhe kati i dytë dhe i tretë ku do të zhvendosen zyrat e Hekurudhës Shqiptare. Kjo do të jetë një qendër bashkëkohore e dizenjuar nga arkitektë e huaj sipas standardeve më të mira”, u shpreh Balluku.
Pas mbylljes së kësaj kontrate brenda këtij viti, do të nisë puna për sinjalistikën dhe telekomunikacionin.
Balluku bëri të ditur se hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës dorëzohet si gjurmë brenda 3-mujorit të parë 2026 dhe vijohet më pas me elektrifikimin, një projekt me vlerë 27 milionë euro, ndërsa paralelisht do të vijohet me ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në këtë sektor, ashtu siç është bërë me stafet e trajtuara në Aviacionin Civil e sektorë të tjerë.
“Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas përfundon vitin e ardhshëm, ndërkohë që elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohet të përmbyllet në 3-mujorin e parë 2027”.