Organizatorët e projektit kanë informuar se këto pajisje janë pjesë e projektit “Mbrojtja dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura në Malin e Sharrit, Mavrovës dhe Korab-Koritnikut”, i financuar nga programi PONT – Prespa Ohrid Nature Trust, dhe i zbatuar nga ALCDF me partnerët CSCD dhe LAG Dibra Turistike
Vjollca SADIKU
Dibër, 18 gusht – Mbrojtja e maleve ka një domethënie shumë të madhe si për ambientin jetësor, ashtu edhe për zhvillimin e turizmit malor në viset kufitare. Me projektet ndërkufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, një vëmendje e veçantë u kushtohet edhe viseve malore në të dy anët e kufirit. Ekipi menaxhues i projektit “Mbrojtja dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura në Malin e Sharrit, Mavrovës dhe Korab-Koritnikut” mbështeti ekipin e Parkut Kombëtar të Mavrovës me një motor të ri 4×4, i cili, së bashku me dronët dhe pajisje të tjera, do të rrisë efikasitetin e monitorimit të zonave të mbrojtura.
Sipas organizatorëve të projektit, pajisjet e monitorimit janë thelbësore në zonat e mbrojtura për të ndjekur ndryshimet mjedisore, aktivitetet e paligjshme dhe efektivitetin e përpjekjeve për ruajtjen e natyrës, duke kontribuar në përmirësimin e informacionit, kontrollin dhe përmirësimin e vendimmarrjes dhe menaxhimit të burimeve natyrore. Këto pajisje do të ndihmojnë në zbulimin dhe kontrollin e aktiviteteve të paligjshme si gjuetia e ndaluar, mbledhja pa kriter e bimëve mjekësore, prerja e pyjeve dhe shkeljet e paligjshme të territorit.
Gjithashtu, këto mjete do të lehtësojnë ekipet e zonave të mbrojtura në optimizimin e patrullave, duke i bërë ato më efikase dhe efektive, si dhe do të rrisin sigurinë në raste rreziku, duke ofruar informacion të saktë për situatën dhe duke mundësuar përgjigje në kohë ndaj emergjencave. Kjo pritet të ketë ndikim në parandalimin e aksidenteve dhe problemeve shëndetësore në punë për specialistët dhe rojet e Parkut Kombëtar të Mavrovës.
Motoçikleta 4×4 është një pajisje shtesë për monitorimin e zonave të mbrojtura, e cila siguron kontroll superior dhe lejon një navigim më të sigurt dhe më efikas të terreneve të ndryshme brenda zonave të mbrojtura. Ajo arrin në vende të largëta dhe në terrene të thyera që mund të jenë të paarritshme për automjetet tradicionale, duke lehtësuar përpjekjet gjithëpërfshirëse të monitorimit.
Organizatorët e projektit kanë informuar se këto pajisje janë pjesë e projektit “Mbrojtja dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura në Malin e Sharrit, Mavrovës dhe Korab-Koritnikut”, i financuar nga programi PONT – Prespa Ohrid Nature Trust, dhe i zbatuar nga ALCDF me partnerët CSCD dhe LAG Dibra Turistike. Në kuadër të projektit priten edhe disa aktivitete të tjera që do të realizohen në vijim. Deri tani, vlerësohet se ky është një projekt shumë efikas dhe me rëndësi të madhe në të dy anët e kufirit. (koha.mk)
tag_katrorimaqedoni_2