Edhe pse kanë kaluar 15 ditë nga incidenti, as policia dhe as prokuroria ende nuk kanë arritur t’i i gjejnë tifozët të cilët publikisht brohoritën thirrjet anti-shqiptare. Sektori i Punëve të Brendshme i Kumanovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës, “po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.” Kështu janë përgjigjur për Portalb.mk nga ministria e Punëve të Brendshme në pyetjen se deri ku është procedura për identifikimin e personave që përhapin gjuhë të urrejtjes në Kumanovë, duke kënduar këngë nacionaliste dhe raciste.
Më 3 gusht 2025 në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, janë dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”. Këto fyerje u bënë në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili së bashku me kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror.
Pas këtij incidenti, gjuha e urrejtjes gojarisht u dënua nga krerët e lartë politik të shtetit, presidentja Gordana Siljanovska- Davkoka, kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryeparlamentari Afrim Gashi.
Më 5 gusht 2025 Policia dhe Prokuroria thanë se janë thirrë për intervistë zyrtare disa persona përderisa në të njejtën datë ndodhi incidenti në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, kur brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes.
Më 7 gusht 2025, Prokuroria njoftoi se e ka dënuar me kusht dhe dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, incident ky që ndodhi pas Kumanovës. Për këtë rast autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës.
Më 8 gusht 2025 për Portalb.mk nga policia thanë se “SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”, duke u përgjigjur shkurt kështu nga ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në pyetjen se deri ku është procedura e identifikimit të fajtorëve për thirrjet nacionaliste dhe raciste në Kumanovë.
Sot, 18 gusht 2025, sërish morëm përgjigjen e njejtë se policia, “po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.”
Kujtojmë se Portalb.mk së fundmi ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.
tag_katrorimaqedoni_2