Kanë filluar të rriten pakënaqësitë dhe mos durimi nga ana e të punësuarve në ndërmarrjen publike “Parqe dhe Gjelbërime” të cilët për gati tre muaj nuk kanë marrë rrogat e tyre duke filluar nga rroga e qershorit, shkruan Alsat.
Përpos një pjesë që ditë më parë bllokuan bulevardin “Ilinden” në Shkup, tani edhe punonjësit të tjerë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre nëpër rrjetet sociale. Përveç pa rroga, ata kanë mbetur edhe pa sigurim shëndetësor. Shumë prej tyre janë me sëmundje kronike, me stenda por ka edhe raste onkologjike.
Kryetari i sindikatës SUTKOZ, Stojançe Kashikovski, në një prononcim për Alsat njoftoi se është takuar me kryesinë e ndërmarrjes dhe u është premtuar pagesa e pagave më së voni të mërkurën. Respektivisht se deri të mërkurën do të bëhet pagesa e qershorit, ndërsa e korrikut disa ditë më vonë.
“Presim që kjo të ndodhë marrë parasysh faktin se para njëzet ditësh, nga ana e këshillit të Qytetit të Shkupit u votuan subvencione në shumë prej 80 milionë denarë dhe presim që këtë herë udhëheqësia e NP “Parqe dhe Gjelbërime” do të mbajë fjalën dhe do të paguhet paga për këta të punësuar në terminet që na u thanë nga udhëheqësia e NP “Parqe dhe Gjelbërime – Shkup””, tha Stojançe Kashikovski – Kryetar i SUTKOZ.
Neglizhenca e udhëheqësisë së ndërmarrjes publike “Parqe dhe Gjelbërime” duke vonuar pagat për më shumë se dy muaj, tregon për mos funksionimin e mirëfilltë brenda ndërmarrjeve që janë nën kompetenca të Qytetit të Shkupit me në krye Danella Arsovskën. Kjo e fundit disa herë është akuzuar nga partitë politike në pushtet se është në bashkëpunim të ngushtë me BDI-në, dhe se të sinkronizuar qëllimisht shkaktojnë pengesa në mirëmbajtjen e mjedisit në komunat të cilat udhëhiqen nga kuadro të partive në pushtet, që kjo të pasqyrohet negativisht në prag të zgjedhjeve lokale.
tag_katrorimaqedoni_2