Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e publikuar sot ka njoftuar se gjyqtari serb i kësaj gjykate, Radomir Laban, ka kërkuar përjashtimin e tij nga vendimmarrja në lëndët e parashtruara për bllokadën në Kuvend. Megjithatë, kërkesa e tij ishte refuzuar.
“Më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja nga rastet KO193/25 dhe KO196/25 si dhe KO215/25. Të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Kërkesa e Laban u bë dy ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një konferencë për media më 5 gusht njoftoi se ka tërhequr një kërkesë drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik për shkak të Labanit, për të cilin tha se paraqet rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.
“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, kishte thënë ajo.
Pas Osmanit, edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se Laban dyshohet nga autoritetet e sigurisë së Kosovës se është bashkëpunëtor i BIA-s serbe./Express/