Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve komunalë të Prizrenit, P.B. dhe E.Th., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën prej 5 janarit deri më 4 prill 2024, të pandehurit duke ushtruar funksione zyrtare në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit, kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat ligjore me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj Ministrisë së Kulturës dhe përfitimit pasuror për investitorin A.Xh.
Në njoftim thuhet se, “i pandehuri i parë P.B., në cilësinë e drejtorit të DUPH, edhe pse ka pasur njohuri se kompleksi ‘Saraji i Vjetër’ është në mbrojtje të përhershme si monument kulturor, nuk e parandalon rrënimin e tij.”
Ndërkohë, e pandehura E.Th., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në të njëjtën drejtori, “më 05.01.2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., lëshon kushtet ndërtimore, më 15.01.2024 merr vendim për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më 04.04.2024 lëshon lejen ndërtimore për ndërtimin e një kompleksi banesor në vendin ku ndodhej objekti i trashëgimisë kulturore.”
Prokuroria thotë se këto veprime janë kryer “në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Trashëgiminë Kulturore si dhe listën e aseteve të trashëgimisë në mbrojtje të përhershme.”
Sipas aktakuzës, si pasojë e këtyre veprimeve të paligjshme, është shkaktuar një “dëm i pariparueshëm i trashëgimisë kulturore në shumë rreth 15.961.832,70 euro.”
Prokurori i çështjes ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave.