Shtatë liderë europianë do të marrin pjesë në bisedimet e sotme në Shtëpinë e Bardhë së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në takimin e djeshëm të “Koalicionit të Vullnetit” – aleatët kryesorë europianë të Ukrainës – liderët diskutuan për nevojën për t’i “ndalur vrasjet” në Ukrainë, për ta ruajtur presionin ndaj Rusisë përmes sanksioneve dhe për ta mbrojtur parimin që Ukraina duhet t’i marrë vendimet në territorin e saj.
Liderët europianë do të shtyjnë që presidenti amerikan Donald Trump t’u bashkohet atyre në mbajtjen e një qëndrimi të ashpër ndaj presidentit rus Vladimir Putin për këto çështje, raporton CNN.
Ja çfarë thanë dje tre prej liderëve që do të marrin pjesë në bisedime:
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se Europa duhet të mbetet e ashpër ndaj Rusisë për t’i shmangur konfliktet e ardhshme. Lideri francez gjithashtu tha se Europa është e gatshme të marrë përgjegjësi në lidhje me garancitë e sigurisë në Ukrainë.
“Duhet të hyjmë në një fazë të re diplomatike… një në të cilën duhet t’i mbrojmë interesat europiane”, tha Macron.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Ukraina duhet të bëhet një “iriq prej çeliku, i patretshëm për pushtuesit e mundshëm”, ndërsa bëri thirrje për garanci sigurie si për Ukrainën ashtu edhe për atë që ajo e përshkroi si “interesat jetike të sigurisë së Europës”.
“Nuk mund të ketë kufizime për forcat e armatosura ukrainase, qoftë bashkëpunim me ose ndihmë nga vende të tjera të treta. Asnjë kufizim për Forcat e Armatosura të Ukrainës”, tha ajo.
Kryeministri britanik Keir Starmer përsëriti se mbështetja e tij për Ukrainën do të vazhdojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Starmer dhe Macron të shtunën përshëndetën “hapjen” e SHBA-së për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën si pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje.