Dhuna mes bashkëmoshatarëve po bëhet një dukuri gjithnjë e më shqetësuese në shoqëri, ndërsa ajo po perceptohet si një sjellje e pranueshme nga vetë fëmijët. Kështu paralajmëron Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, duke i bërë thirrje të fuqishme prindërve dhe familjeve që të angazhohen më shumë në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë.
“Ky është një alarm serioz që kërkon reagim të menjëhershëm, jo vetëm nga institucionet apo shkollat, por mbi të gjitha nga vetë familjet. Pikërisht në mjedisin familjar fëmijët formojnë sjelljet dhe vlerat e tyre themelore,” thuhet në reagimin e KOMF.
KOMF thekson se prindërit duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të parandaluar dhunën, duke komunikuar hapur me fëmijët e tyre dhe duke u shërbyer si modele sjelljeje.
“Ndani kohë për biseda të ndershme me fëmijët rreth dhunës dhe ndikimit të saj. Promovoni sjellje të qeta dhe respektuese në marrëdhënie me të tjerët. Kontrolloni përmbajtjen që fëmijët ndjekin në rrjete sociale dhe orientoni përdorimin e tyre drejt vlerave pozitive,” thuhet tutje në apelin e organizatës.
Bashkëpunim me shkollën dhe mbështetje profesionale
Përveç rolit të familjes, KOMF thekson rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shkollat dhe kërkimin e ndihmës profesionale kur fëmijët përballen me sfida emocionale.
“Prindërit duhet të jenë të angazhuar në jetën shkollore të fëmijëve dhe të kërkojnë ndihmë nga profesionistët kur shfaqen shqetësime si stresi, ankthi apo sjelljet agresive,” thekson KOMF.
Në përmbyllje, organizata nënvizon se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një ambient të sigurt dhe të mbrojtur, ku prindërit apo kujdestarët ligjorë janë mbështetja e parë dhe më e rëndësishme në këtë drejtim.
“Përmes komunikimit të hapur dhe edukimit për modele tolerante dhe konstruktive, ne mund të ndërtojmë një shoqëri ku fëmijët ndihen të sigurt, të respektuar dhe të mbrojtur,” përfundon deklarata.