Presidenti rus Vladimir Putin u pajtua të lejojë “garanci të fuqishme sigurie” për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje gjatë takimit të tij me Presidentin Donald Trump të premten, tha sot për CNN i dërguari kryesor Steve Witkoff.
“Ne ramë dakord për garanci të fuqishme sigurie që do t’i përshkruaja si ndryshuese të lojës”, i tha Witkoff Jake Tapperit në “State of the Union”, duke e përshkruar garancinë e sigurisë si një mbrojtje të tipit “Neni 5” kundër një pushtimi të mëtejshëm rus.
Ai tha se Putini gjithashtu u pajtua për një “përfshirje legjislative” nga Rusia për të mos hyrë në asnjë territor tjetër, në Ukrainë apo gjetkë në Europë, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Putini parashtroi kërkesat e tij për “shkëmbime territoresh” me Ukrainën gjatë takimit të tij pothuajse treorësh me Presidentin amerikan Donald Trump të premten, përfshirë këmbënguljen e tij që Ukraina të heqë dorë nga rajoni i Donbasit në lindje të Ukrainës, sipas zyrtarëve europianë të njohur me shpjegimin që Trump ua ka dhënë më vonë homologëve të tij për takimin.
Putini tha se në këmbim, ai do të ishte i gatshëm t’i ngrinte vijat aktuale të frontit në pjesën tjetër të Ukrainës – në rajonet e Khersonit dhe Zaporizhias – dhe të pajtohej me një premtim për të mos e sulmuar më kurrë Ukrainën apo shtete të tjera europiane.
Por ai nuk u tërhoq nga kërkesa për t’i eliminuar atë që Rusia e quan “shkaqet rrënjësore” të luftës në Ukrainë – kod për zvogëlimin e ushtrisë së Kievit, braktisjen e aspiratave të saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe shndërrimin në një shtet neutral.