Marash Kumbulla drejt Spanjës, për t’u bërë lojtar i Mallorcas - Gazeta Express
string(60) "marash-kumbulla-drejt-spanjes-per-tu-bere-lojtar-i-mallorcas"

Futboll

Gazeta Express

17/08/2025 9:59

Marash Kumbulla drejt Spanjës, për t’u bërë lojtar i Mallorcas

Futboll

Gazeta Express

17/08/2025 9:59

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, është në prag të një aventure të re në karrierën e tij. Pas disa sezoneve me AS Roma, dhe disa huazimeve ai ka udhëtuar sot drejt Spanjës për të kryer testet mjekësore dhe për të finalizuar transferimin te RCD Mallorca.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, marrëveshja mes klubeve është arritur prej ditësh dhe mbetet vetëm zyrtarizimi i saj.

“Marash Kumbulla, në rrugë drejt Spanjës për t’u prezantuar si lojtar i ri i Mallorcas të hënën, ashtu siç u raportua ekskluzivisht. Bëhet fjalë për një huazim nga Roma, me klauzolë blerjeje prej 6 milionë eurosh plus 2 milionë euro shtesa. Klauzola nuk është e detyrueshme”, ka shkruar Romano në orët e para të mëngjesit.

Ky transferim pritet të jetë një hap i rëndësishëm për Kumbullën, i cili do të kërkojë të rikthejë formën e tij më të mirë në La Liga, një nga ligat më të forta në botë. Ai do të ketë mundësinë të luajë krah për krah me sulmuesin kosovar Vedat Muriqi, i cili është një nga yjet kryesorë të skuadrës nga Palma de Mallorca.

Për Kombëtaren shqiptare, kjo lëvizje është gjithashtu një lajm pozitiv, pasi një aktivizim i rregullt në Spanjë mund ta rikthejë Kumbullën në formë të plotë për ndeshjet e rëndësishme kualifikuese për Botëror që e presin kuqezinjtë në muajt e ardhshëm.

Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet gjatë ditës së hënë, ndërsa prezantimi i Kumbullës me fanellën e re të Mallorcas mund të ndodhë para tifozëve vendas brenda javës. /GazetaExpress/