AUV ndalon shitjen e bulmetit dhe shpezëve në hapësirat publike afër tregut të gjelbër në Ferizaj - Gazeta Express
string(97) "auv-ndalon-shitjen-e-bulmetit-dhe-shpezeve-ne-hapesirat-publike-afer-tregut-te-gjelber-ne-ferizaj"

Gazeta Express

16/08/2025 18:35

AUV ndalon shitjen e bulmetit dhe shpezëve në hapësirat publike afër tregut të gjelbër në Ferizaj

Gazeta Express

16/08/2025 18:35

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes zyrës regjionale në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për ndalimin e shitjes së produkteve të bulmetit dhe shpezëve në hapësirat publike pranë tregut të gjelbër të qytetit.

Gjatë një kontrolli të fundit, inspektorët veterinarë kanë ndaluar shitjen e produkteve si djathi, gjiza, qumështi i freskët dhe nënprodukte të tjera të qumështit që po shiteshin në kushte të papërshtatshme në ambient të hapur dhe pa ruajtje frigoriferike

“Këto produkte, sipas legjislacionit në fuqi, duhet të ruhen në temperatura të kontrolluara prej 0–6°C dhe të jenë të mbrojtura nga ndotja dhe kontaminimi.

Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqimin, AUV ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes së këtyre produkteve në kushte jo të sigurta dhe ka larguar nga tregu çdo produkt të dyshuar si i pasigurt. Për shitësit që nuk i përmbahen rregullave parashihen konfiskime, asgjësim i produkteve dhe ndëshkime ligjore”, thuhet në njoftim.

AUV apelon tek qytetarët që të kenë kujdes gjatë blerjes së produkteve shtazore, duke siguruar që ato të jenë të ruajtura në kushte të përshtatshme frigoriferike dhe të kenë etiketim të qartë mbi origjinën dhe afatin e përdorimit.

“Gjatë të njëjtit kontroll, inspektorët kanë evidentuar edhe shitje të paligjshme të shpezëve në trotuare, gjë që jo vetëm pengon lëvizjen e lirë të këmbësorëve, por përbën edhe rrezik për shëndetin publik për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare.

Sipas ligjeve në fuqi për ushqimin, mbrojtjen e konsumatorit dhe trafikun rrugor, shitja e shpezëve apo kafshëve në hapësira publike si trotuaret është e ndaluar. Në këtë rast, autoritetet kanë larguar shpezët dhe kanë paralajmëruar masa ndëshkuese në rast përsëritjeje, përfshirë konfiskimin dhe asgjësimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Inspektorati veterinar i AUV-së bën të ditur se kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe lirimin e hapësirave publike nga tregtia e paligjshme.