Sot KEDS ka nisur shkyçje masive pas përfundimit të afatit për bizneset që s’kanë arritur marrëveshje me furnizues të licencuar nga ZRRE. Ndaj kësaj ka reaguar Oda Ekonomike e Kosovës, nga ku përmes një komunikate për media është kundërshtuar ky veprim. Po ashtu, OEK ka theksuar se kanë përcjell me shqetësim situatën ‘’kaotike’’ që është krijuar nga ‘’vendimi i jashtëligjshëm’’ i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike, shkruan Gazeta Express.
Nga OEK është thënë edhe se, ata kanë pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë rrymën.
Në komunikatë theksohet edhe se ky veprim, pra ‘‘qëndrimi prapa i aparaturës policore’’ për të ndërprerë rrymën, paraqet humbje shprese’’.
‘‘Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton ndërprerjen e energjisë që rrezikon bizneset dhe ekonominë e vendit
Oda Ekonomike e Kosovës ka përcjellë sot me shqetësim situatën kaotike që është krijuar nga vendimi i jashtëligjshëm i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike. Ky është një vendim që sot ka goditur në mënyrën më të ulët bizneset, ekonominë e vendit dhe për më keq, qytetarët e Republikës së Kosovës. Kemi pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike. Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore’’, thuhet mes tjerash.
Tutje, nga OEK është thënë se ka raste që zyrtarët e KEDS kanë shkuar për të ndërprerë rrymën edhe tek bizneset që kanë kontrata të lidhura.
‘‘Gjithashtu, kemi raste kur bizneset kanë kontrata të lidhura, por zyrtarët e KEDS-it prapëseprapë kanë shkuar për të ndërprerë energjinë elektrike. Po ashtu, kemi biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, megjithatë edhe atyre u është ndërprerë energjia. Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur’’, është thënë më tej.
Në fund, OEK i ka bërë thirrje ZRrE-së të ndalojë menjëherë këto veprime dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë
‘‘Për këtë arsye, i bëjmë thirrje ZRrE-së të ndalojë menjëherë këto veprime arbitrare (dhunshme) dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës. Një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës’’, përfundohet nga OEK. /GazetaExpress