Një moment prekës dhe emocional ndodhi gjatë përkujtimit të 80-vjetorit të Ditës së Fitores ndaj Japonisë (VJ), kur veterani 104-vjeçar Yavar Abbas mbajti një fjalim që bëri Mbretëreshën Camilla të qajë dhe Mbretin Charles III të emocionohet thellë.
Gjatë ngjarjes në Staffordshire, Yavar, një nga veteranët e fundit të gjallë të frontit aziatik, doli nga skenari i përgatitur dhe përshëndeti Mbretin me fjalët:
“Dua të përshëndes Mbretin tim të guximshëm që është këtu me Mbretëreshën e tij të dashur, pavarësisht se është nën trajtim për kancer.”
Fjalët e tij prekën audiencën dhe familjen mbretërore. Sipas dëshmitarëve, Mbretëresha Camilla fshiu sytë e përlotur, ndërsa Mbreti Charles u duk i prekur nga emocioni.
Yavar gjithashtu ndau me të pranishmit se ai vetë ka qenë i lirë nga kanceri për 25 vjet, duke u shpërblyer me duartrokitje të fuqishme nga turma.
Yavar Abbas lindi më 15 dhjetor 1920 në Charkhari, një qytet i vogël në Indinë Britanike. Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ai ishte ende student.
Në vitin 1942, përballë pushtimeve japoneze në Azinë Juglindore, ai u përball me një vendim të vështirë: të luftonte për britanikët, edhe pse India ishte ende nën kolonializëm.
“E urreja imperializmin britanik”, thotë ai, “por nuk doja që nazizmi dhe fashizmi të fitonin.”
Si shumë nacionalistë indianë, Yavar zgjodhi të luftonte me shpresën se pas luftës, India do të fitonte pavarësinë – një premtim që më pas u përmbush.
Sot, në moshën 104-vjeçare, Yavar Abbas jo vetëm që përfaqëson një brez të rrallë të mbijetuarish të Luftës së Dytë Botërore, por edhe një simbol të ndershmërisë, guximit dhe reflektimit historik.
Ai dëshmoi publikisht respekt për monarkun aktual, duke tejkaluar ndasitë e së kaluarës koloniale dhe duke treguar fuqinë e pajtimit ndër breza./Tch/