Policia e Korçës ka sqaruar dinamikën e ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në fshatin Mollaj, ku 28-vjeçari Ari Kodra mbeti i plagosur me thikë gjatë një sherri.
Në pranga ka rënë autori i dyshuar, Aleks Qiqi, 41 vjeç, i akuzuar për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë, “dëmtime të tjera me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Ai vetë ka marrë dëmtime gjatë konfliktit dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, u arrestuan edhe katër persona të tjerë – Isuf Dalip (45 vjeç), Thanas Paskali (47 vjeç), Dhimitër Kodra (47 vjeç) dhe Bilal Shkëmbi (33 vjeç) – të akuzuar për “plagosje të rëndë me dashje në bashkëpunim”, pasi goditën me grushte autorin pas plagosjes së 28-vjeçarit.
Policia ka sekuestruar thikën e përdorur në konflikt, një aparat celular dhe pamjet filmike të ngjarjes. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.