Shukri Buja, kandidat i PDK-së për kryetar të Lipjanit, ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar me shtabin e PDK-së në Gllogoc dhe Jeta e Re, duke thënë se këto dy vende do të jenë pjesë e një zhvillimi të integruar urban me qytetin e Lipjanit.
Ai ka thënë edhe se, pjesëmarrja masive në takimet që ka pasur në Gllogoc dhe në Jetën e Re e dëshmon se fitorja është e tyre
‘‘Pjesëmarrja masive në takimet tona në Gllogoc dhe në Jetën e Re e dëshmon se fitorja është e jona! Fryma e fitores për zgjedhjet e ardhshme u dëshmua sonte në takimin me shtabin e PDK-së në Gllogoc dhe Jeta e Re, ku pjesëmarrja masive e qytetarëve ishte vërtet mbresëlënëse. Gllogoci dhe Jeta e Re do të jenë pjesë e një zhvillimi të integruar urban me qytetin e Lipjanit, me investime të rritura dhe projekte konkrete që do të realizohen në mandatin e ardhshëm. Garanci për këtë vizion është Ferizi në Gllogoc, kandidati jonë për Asamblenë Komunale nga Gllogoci, që do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve të këtij lokaliteti!’’, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai ka njoftuar edhe për takimin që ka pasur me gra dhe vajza të reja nga Lipjani.
‘‘Së bashku me Adelinen, kandidaten tonë për Kuvendin Komunal, patëm një takim të frytshëm me gra dhe vajza të reja nga qyteti i Lipjanit, ku diskutuam idetë dhe mundësitë për fuqizimin e tyre socio-ekonomik. Zotohem se në mandatin e ardhshëm do të ndërmarrim masa konkrete për familjet dhe për gratë: rritjen e rolit të tyre në institucione dhe vendimmarrje, aftësimin profesional, punësimin, vetëpunësimin, si dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre’’, ka shkruar ai.