Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, muajin e kaluar e telefonoi ministrin e Financave të Norvegjisë, Jens Stoltenberg, për të kërkuar që të nominohej për Çmimin Nobel për Paqe, raportuan të enjten mediat norvegjeze.
Mediumi norvegjez, “Dagens Næringsliv”, duke cituar burime të paidentifikuara, raportoi: “Krejt papritmas, përderisa ministri i Financave, Jens Stoltenberg, po ecte rrugës në Oslo, Donald Trumpi e telefonoi… Ai e deshi Çmimin Nobel – dhe që të diskutonte për taksat”, transmeton gazeta “The Guardian”.
Sipas mediumit norvegjez, kjo nuk ishte hera e parë që presidenti amerikan e kishte ngritur temën e nominimit për Çmimin Nobel për Paqe me Stoltenbergun.
Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Stoltenbergu, ish-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, tha se telefonata ishte e përqendruar në taksat dhe bashkëpunimin ekonomik para telefonatës së Trumpit me kryeministrin norvegjez, Jonas Støre.
“Unë nuk do të hyj më tej në hollësi për përmbajtjen e bisedës” – tha Stoltenbergu, duke shtuar se disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, ishin të pranishëm në telefonatë.
Secilin vit, Komiteti i Nobelit në Norvegji shqyrton qindra kandidatë para se t’i zgjedhë laureatët. Anëtarët e Komitetit emërohen nga Kuvendi i Norvegjisë sipas vullnetit të Alfred Nobelit, industrialist suedez i shekullit të 19-të. Laureatët shpallen në tetor.
Trumpi në të kaluarën është ankuar disa herë pse nuk i është dhënë Çmimi Nobel për Paqe, i cili më herët u është dhënë katër paraardhësve të tij, përfshirë ish-presidentin Barack Obama.
Në qershor, presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social” shkroi: “Jo, unë s’do ta marr Çmimin Nobel për Paqe pavarësisht se çfarë bëj, përfshirë Rusinë/Ukrainën dhe Izraelin/Iranin, çfarëdo që mund të jenë rezultatet, por njerëzit e dinë dhe kjo është ajo që ka rëndësi për mua!”/Nacionale