Rreth 40 për qind të kompanive që Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) i ka obliguar që të dalin në treg të hapur të energjisë rrezikojnë të mbesin pa energji elektrike nga 16 gushti, nëse deri të premten në mesditë nuk nënshkruajnë kontratë për furnizim me një nga operatorët e licencuar.
Pas njoftimi të ZRRE-së të një dite më parë, KEDS-i ka njoftuar se e ka të ndaluar ligjërisht ta lejojë vazhdimin e furnizimit me energji për konsumatorët që nuk kanë një marrëveshje për furnizim.
“Për ta ruajtur stabilitetin dhe integritetin e sistemit elektroenergjetik, më 16 gusht 2025 KEDS-i do t’i shkyçë nga rrjeti i shpërndarjes të gjithë konsumatorët që nuk kanë një marrëveshje aktive furnizimi. Nëse ende nuk keni nënshkruar kontratë me një furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, duhet ta bëni këtë pa vonesë, për ta shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Burime të KOHËS kanë treguar se rreth 700 nga 1.300 kompani të obliguara që të dalin në treg të hapur kanë nënshkruar kontrata për furnizim.
Nga ZRRE-ja kanë ritheksuar se procesi i liberalizimit të energjisë elektrike është në përputhje me ligjin, duke e përmendur vendimin e fundit të Komerciales që vendosi në favor të këtij institucioni.
Përfaqësuesit e bizneseve kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me betejën ligjore, duke i përmendur pasojat e vendimit të ZRRE-së.
Kushtrim Ajazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve, thotë se kostoja e energjisë do të jetë e papërballueshme për bizneset.
“Qershori është muaji me konsumin më të ulët në nivel vjetor sipas raporteve e çmimet e energjisë elektrike që janë faturuar nga KEK-u, si furnizues i mundësisë së fundit, kanë qenë së paku dyfishi që ka paguar më herët biznesi. Kjo nënkupton që në muajin kur është konsumi më i ulët, ke paguar dyfishin e çka do të ndodhë në muajt pasues sigurisht se do të ketë kosto më të larta bazuar edhe në raportimet e ZRRE-së, ku në shtator të vitit të kaluar ZRRE-ja raporton se kostoja e energjisë elektrike ka qenë 250 euro në nivel mesatar në muajin shtator”, ka thënë Ajazi.
E, sipas Adhurim Haxhimusës, njohës i fushës së energjisë, Qeveria është dashur që t’i vrojtonte bizneset që nga hyrja në fuqi e vendimit, për të parë nëse mund t’i përballojë ndryshimet.
“Mungon një analizë socio-ekonomike e këtij vendimi. Efektet socio-ekonomike të kësaj, brenda një periudhë shumë të shkurtur, 1-vjeçare, mund të jenë aq të rënda, saqë ekonomisë së Kosovës i duhet shumë kohë që të vijë në gjendjen e tanishme”, ka thënë Haxhimusa.
Të enjten kanë reaguar bashkërisht edhe përfaqësues të bizneseve.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës, nëpërmjet një reagimi të përbashkët, kanë shprehur “shqetësimin e thellë” për situatën e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale.
“Me këtë rast kërkojmë nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të rishqyrtojë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe njëkohësisht të mos aplikojë ndërprerjen e furnizimit me energji të bizneseve, siç ka paralajmëruar se do të nisë nga data 16 gusht”, thuhet në reagim. “Ndërprerja e furnizimit me energji do të sjellë pasoja të jashtëzakonshme, duke filluar nga ulja e numrit të të punësuarve, rritja e çmimeve, rritja e importit dhe rënia e eksportit”.
Në këtë reagim përfaqësuesit e bizneseve kanë alarmuar për pasojat e vendimit të ZRRE-së.
“Ne jemi tashmë të informuar se disa biznese kanë ndërprerë punën, ndërsa të tjerat janë në proces të mbylljes së reparteve”, thuhet në reagim. “Gjithashtu, shumë biznese janë duke pësuar dëme për shkak të kontratave me partnerët ndërkombëtarë, të cilat janë nën kosto të prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë”.
Aty është paralajmëruar edhe për masa eventuale.
“Shoqatat e bizneseve po vazhdojnë konsultimet me bizneset për hapat e mëtejmë”, thuhet në reagim. “E ritheksojmë edhe një herë se askush nuk është kundër liberalizimit të energjisë, por kundër formës së zgjedhur nga ZRRE, ku mbi të gjitha ka munguar informimi i mirëfilltë për këtë proces shumë të rëndësishëm. Gjithashtu, çmimet e ofruara nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji janë shumëfish më të larta se ato të rajonit”.
Të martën shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka aprovuar ankesën e ZRRE-së, duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të hapur të energjisë elektrike.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me seli në Prishtinë. NDRYSHOHET pika IV e Aktgjykimit K.A.nr.301/25 e datës 29.07.2025 e Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, ashtu që vendoset si në vijim: Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit … me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr.272/23 të datës 05.04.2025 dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga ZRRE”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë të Komerciales.
ZRRE-ja në mars kishte njoftuar se bizneset me mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur të energjisë. Ky njoftim është kundërshtuar nga biznese të ndryshme, të cilat kanë ngritur lëndë të veçanta në gjykatë.
E, javë më parë Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.
Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, qe i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.
Por, pas apelimit në shkallë të dytë nga ZRRE-ja, vendimi i shkallës së parë është anuluar.
Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim të rritjes së konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.