Asbesti ende në Prishtinë, mbetet shqetësim për qytetarët - Gazeta Express
string(56) "asbesti-ende-ne-prishtine-mbetet-shqetesim-per-qytetaret"

Lajme

Gazeta Express

15/08/2025 7:01

Asbesti ende në Prishtinë, mbetet shqetësim për qytetarët

Lajme

Gazeta Express

15/08/2025 7:01

Shumë ndërtesa në qendër të Prishtinës mbeten të mbuluara me çati që përmbajnë asbest, një material i njohur për rrezikun që paraqet për shëndetin. Janë bërë shumë fushata për heqjen e këtij materiali kancerogjen, por rezultatet konkrete mungojnë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në Prishtinë ka mbi 230 mijë metra katrorë çati dhe rreth 70 kilometra gypa ujësjellësi me këtë material.

Një pjesë e banesave në kryeqytet edhe më tej vazhdojnë të jenë të mbuluara me lesenit, material me përbërje asbesti, i cili vlerësohet i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Fushata “Prishtina pa asbest”, e nisur vitin e kaluar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, kishte për synim largimin e këtij materiali toksik me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sipas vlerësimeve, rreth 230 mijë metra katrorë në zonën urbane të kryeqytetit janë të mbuluara me asbest, përfshirë këtu ndërtesa banimi kolektiv, shtëpi private dhe objekte publike. Megjithëkëtë, ndonëse ka kaluar kohë, ky material vazhdon të bashkëjetojë me banorët e kryeqytetit.

Opozita komunale mbetet skeptike se ky projekt do të përmbyllet, duke akuzuar qeverisjen lokale për dështim në mbrojtje të shëndetit publik.

Ndërkohë, zyrtarë komunalë vënë në pah se përgjatë vitit të kaluar është kontraktuar një kompani e cila ka bërë inventarizimin edhe identifikimin e të gjitha objekteve të mbuluara me asbest, përfshirë edhe shtëpitë private. Sipas drejtorit për siguri dhe emergjenca, procesi i inventarizimit tashmë është përmbyllur, ndërkohë që me procedurat e tenderimit pritet të fillojë largimi, që do të ndahet në tri faza.

Ulpiana është identifikuar ndër lagjet me më së shumti asbest në kryeqytet.

Edhe pse i ndaluar në shumë vende të botës, ky material në vendin tonë vazhdon të jetë i pranishëm në infrastrukturë, përfshirë në gypat e ujit dhe në çati të objekteve private e publike, si dhe në spitale e shkolla.

Situata më shqetësuese mbetet në kryeqytet, ku sipas të dhënave zyrtare, përveç rreth 230 mijë metrave katrorë çati të ndërtesave me përmbajtje asbesti, janë edhe rreth 70 kilometra gypa ujësjellësi me këtë material të rrezikshëm.