Mentor Hyseni në krye të ATK – së, a është legjitime ky emërim nga Qeveria në detyrë? - Gazeta Express
string(81) "mentor-hyseni-ne-krye-te-atk-se-a-eshte-legjitime-ky-emerim-nga-qeveria-ne-detyre"

Lajme

Gazeta Express

15/08/2025 6:54

Mentor Hyseni në krye të ATK – së, a është legjitime ky emërim nga Qeveria në detyrë?

Lajme

Gazeta Express

15/08/2025 6:54

Të enjten u bë pranim – dorëzimi i detyrës së drejtorit të ri të Administratës Tatimore të Kosovës.

Mentor Hyseni i cili erdhi në krye të ATK-së, u zotua për rritjen e transparencës së këtij institucioni.

“Hyseni shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe theksoi se do ta ushtrojë detyrën me profesionalizëm, integritet dhe dinjitet, duke vënë në prioritet ngritjen e transparencës, përmirësimin e efikasitetit, si dhe shërbimet ndaj tatimpaguesve. Ai po ashtu, u zotua se do të punojë ngushtë me stafin e ATK-së dhe partnerët institucionalë për të garantuar mbledhjen e drejtë dhe të barabartë të të hyrave buxhetore, në përputhje me ligjin dhe në të mirë të interesit publik”

Mirëpo, ardhja e Hysenit në këtë pozitë, u prit me kritika të shumta.

Kjo pasi ai më herët kishte qenë kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Televizioni ka dërguar pyetje në lidhje me këtë emërim, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Në këtë çështje, vlerësohet se ka hapësirë për hetim, bazuar se ky emërim u bë nga një qeveri në detyrë.

“Janë institucionet përkatëse të këtij vendi që duhet të aktivizohen në raste të tilla, ta vlerësojnë sigurisht edhe partitë politike dhe qytetarët që duhet ta kenë rolin e tyre, thjesht për të adresuar rastet të cilat eventualisht paraqesin konflikt interesi ose tejkalim të kompetencave dhe autorizimeve të një qeverisje në detyrë në raste të tilla të emërimit, jashtë mandatit kushtetues”, vlerëson profesori universitar, Mazllum Baraliu.

Emërimet e personave me prapavijë politike, sipas ekonomistit Mustafë Kadrijaj nuk përbëjnë risi, por e rëndësishme sipas tij është përgatitja profesionale.

Paraprakisht, gjatë qeverisjes Kurti I dhe II, Hyseni kishte qenë kryesues i bordit të AKP-së, e anëtar i përkohshëm i bordit në “Ujësjellësi Prishtina.”