Ukraina urdhëroi më shumë evakuime në lindje, nga një qytet pranë zonës ku ushtria e Moskës bëri së fundi një përparim të shpejtë, teksa forcat ruse po shtojnë presionin para samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
“Ne filluam evakuimin e detyrueshëm të familjeve me fëmijë nga qyteti Druzhkivka”, tha kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, Vadym Filashkin, duke shtuar se katër fshatra të tjerë pranë qytetit u urdhëruan po ashtu që të evakuohen.
Ai shtoi se 1.879 fëmijë janë ende në këto vendbanime.
Më herët gjatë së enjtes, forcat ruse pretenduan se kanë marrë nën kontroll fshatin Iskra dhe qytezën Shçerbinivka në rajonin e Donjeckut.
Rusia pretendon se në shtator të vitit 2022 e ka aneksuar rajonin e Donjeckut, që gjendet në lindje të Ukrainës.
Ndërkaq, të martën forcat ruse përparuan me shpejtësi pranë qyteteve Dobropillia dhe Druzhkivka, që gjenden në vijën e frontit.
Më herët gjatë javës, Ukraina po ashtu urdhëroi evakuimin e banorëve nga Billozerske, një tjetër qytezë jo shumë larg kësaj zone, ku rusët kanë bërë përparime në fushëbetejë.
Këto përparime të Rusisë vijnë para se presidenti amerikan, Donald Trump, të takohet në Alaskë me homologun rus, Vladimir Putin, për përfundimin e luftës në Ukrainë, që Rusia e nisi më 2022.
Udhëheqësi amerikan e ka paralajmëruar Rusinë për “pasoja shumë të rënda”, nëse nuk i jep fund luftës. /REL