Policia Kufitare e Vlorës, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, ka ndërhyrë me sukses për të ndihmuar dy shtetas që kishin mbetur në det gjatë natës, pas një defekti në mjetin e tyre lundrues.
Pas marrjes së njoftimit për një skaf me dy persona në bord që kishte pësuar defekt brenda Gjirit të Vlorës, strukturat e Policisë Kufitare të SPK Triport organizuan menjëherë operacionin e ndihmës.
Në koordinim me efektivët e Guardia di Finanza, mjeti u lokalizua në zonën e njohur si “Plazhi i Vjetër”. Pas ndërhyrjes, u bë e mundur riparimi i defektit dhe shoqërimi i skafit drejt stacionit më të afërt, në mënyrë të sigurt.
Gjatë verifikimeve, rezultoi se drejtuesi i mjetit nuk kishte me vete dokumentacionin përkatës për lundrim. Për këtë shkelje, ndaj tij u vendos një masë administrative me gjobë në vlerën e 10 000 lekëve, në zbatim të legjislacionit në fuqi.