207 shtëpi janë dëmtuar nga zjarret, 40 prej të cilave janë djegur plotësisht. Këto shifra u bënë me dije nga kryeministri Edi Rama, teksa njoftoi se ka nisur edhe inventarizimi dhe të gjithë të prekurit do të kompensohen. Për 40 familjet që i kanë humbur shtëpitë plotësisht, kreu i qeverisë tha se do të kenë shtëpi të reja. Gjithashtu do të bëhet kompensimi edhe për 3 619 krerëve të humbur të vlerësuara deri më tani.
“Tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri por në këtë numër hyn 40 familje deri tani, të cilat e kanë humbur shtëpinë plotësisht. Dua t’i siguroj të gjithë qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo ata që kanë pësuar dëmtime se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmevve dhe padiskutim, siç ka ndodhur në të shkuarën, do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë dhe pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë e më të fortë, dhe për të parë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur. Deri tani numërohen 3 619 krerë të humbur.”, tha kryeministri.
Kritikave për mungesën e avionëve zjarrfikës Rama u është përgjigjur kështu: “Nuk është fjala për të hequr përgjegjësitë. Ne i dimë përparimet, kufizimet, dimë çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë. I dimë të gjitha por që të flitet nga kafja apo çadra e plazhit për faktin që pati zjarre dhe të ngrihen akuza, të bëhen përqeshje etj se pse nuk u parandaluan zjarret kjo është me të lënë pa tekst.”, tha Rama.