Studentët protestues në Serbi, njoftuan në rrjetet sociale se një protestë e re do të mbahet sonte në orën 19:30.
Në përshkrimin e postimit, ata shkruan: “Sonte qëlloni në cepa, 19:30”
Siç thanë ata, më shumë informacion do të njoftohet së shpejti.
Nryshe mbrëmë janë mbajtur protestat kundër Qeverisë serbe me moton “Serbi, zgjohu” në dhjetëra qytete të Serbisë dhe në disa lokacione në Beograd. Në kryeqytetin serb dhe në Novi Sad ka pasur përplasje dhe incidente mes policisë dhe demonstruesve, ku janë plagosur protestues dhe disa policë.
Në Beograd, një kordon i xhandarmërisë u vendos për të parandaluar përplasjet mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, disa qytetarë janë parë me maska në fytyrë. Dy grupet kanë shkëmbyer ofendime dhe kanë hedhur gjësende ndaj njëri-tjetrit, ndërsa policia është vendosur mes tyre. Një protestues u arrestua pas një përleshjeje pranë Kuvendit të Serbisë. Pranë ndërtesës së Qeverisë është hedhur gaz lotsjellës dhe është dëgjuar topi zanor.
Edhe në protestën në Novi Beograd ka pasur përplasje të demonstruesve me policinë, raportoi televizioni N1. Pamjet treguan protestuesit duke hedhur sende të ndryshme drejt policisë. Gazetarët e REL-it raportuan se edhe aty ka qenë e pranishme policia dhe se ka pasur momente tensioni.
Në Novi Sad, para zyrave të SNS-së, janë shënuar incidente të reja. Sipas gazetarëve të REL-it, nga drejtimi i selisë së partisë janë hedhur mjete piroteknike drejt pjesëmarrësve të protestës, ndërsa pas përplasjes, disa dritare të ndërtesës janë thyer. Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se një polic është plagosur gjatë një “sulmi të protestuesve” ndaj zyrave të SNS-së në rrugën Strazhillovska.
Prej muajsh, para Parlamentit në Beograd, mbështetës të pushtetit kanë ngritur tenda dhe bllokojnë një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, duke u vetëquajtur “studentë që duan të mësojnë”. Sipas tyre, kjo është përgjigjja ndaj protestave masive kundër Qeverisë në të gjithë Serbinë.
Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj. Kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.