Granit Xhaka e ka dhënë një intervistë të gjatë sot për faqen zyrtare të Sunderlandit, përmes së cilës i ka prekur shumë tema.
Yllit kosovar iu besua shiriti i kapitenit tek klubi anglez falë lidershipit që e ka shfaqur gjithmonë dhe karakterit të tij.
Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në klubet paraprake ku i ishte besuar drejtimi i ekipit në fushën e blertë, shkruan “Gazeta Express”.
“Mendoj se ju rriteni si lider, nuk mendoj se mund ta ushtrosh këtë gjë. Që nga vitet e mia të hershme e kam pasur këtë tip të lidershipit, brenda meje, madje edhe në familje.”
Natyrisht, në klub futbolli është totalisht ndryshe sepse duhet të japësh dhe të tregosh më shumë sesa në jetën private. Po, më bën të lumtur dhe krenar që kam qenë kapiten i ekipit kudo që kam luajtur, për ta shfaqur karakterin tim, për ta shfaqur lidershipin tim.”
Xhaka u shpreh i lumtur që u rikthye në Premierligë pas dy vjetësh qëndrimi në Gjermani tek Bayer Leverkuseni, ndërsa e pranon se i kishte munguar kampionati anglez.
Gjithashtu, u shpreh optimist se do ta ketë një sezon pozitiv me Sunderlandin. /Gazeta Express