Në një kohë kur Kosova dhe i gjithë Ballkani po përballen me valë të fuqishme zjarresh, një status i publikuar nga zjarrfikësi Femi Imeri nga Kamenica ka prekur zemrat e shumë qytetarëve. Me fjalë të forta e të ndjera, Imeri përshkruan betejën e përditshme me flakët, një realitet që shpesh mbetet larg vëmendjes së publikut.
“Kur trupi të thotë mjaft… zemra të thotë vazhdo,” shkruan ai, duke përshkruar lodhjen ekstreme të 50 orëve pune në vijën e parë të zjarreve. “Këto plagë nuk janë dobësi, janë medaljet e heshtura të një beteje që pak e shohin, por shumë e ndiejnë.”
Sipas Imerit, kjo luftë nuk ka të bëjë vetëm me shuarjen e flakëve, por me një mision më të thellë — mbrojtjen e jetës dhe të natyrës.
“Uniforma po thahet në diell, plagët po marrin ajër… por shpirti nuk ka nevojë për pushim, derisa rasti të marrë fund,” shkruan ai më tej.