Ish kandidati i VV’së për kryetar të Klinës jep dorëheqje: S'dua të bëhem pjesë e një realiteti që nuk përfaqëson më idealet mia - Gazeta Express
string(73) "dragidella-i-jep-goditje-te-forte-vetevendosjes-derisa-njofton-doreheqjen"

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 12:23

Ish kandidati i VV’së për kryetar të Klinës jep dorëheqje: S’dua të bëhem pjesë e një realiteti që nuk përfaqëson më idealet mia

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 12:23

Një prej më zërave më aktivë të Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, Lulzim Dragidella ka njoftuar për dorëheqjen e tij nga kjo parti, duke e cilësuar vendimin si “më të vështirin” në jetën e tij politike.

Në një deklaratë të gjatë, Dragidella theksoi se vendimi nuk është marrë për arsye emocionale, por pas një reflektimi të thellë mbi drejtimin që ka marrë LVV në vitet e fundit.

Ai kritikoi mungesën e demokracisë së brendshme, mungesën e transparencës dhe përjashtimin e zërave kritikë brenda strukturës partiake.

“Pas një procesi të gjatë mendimesh, analizash dhe betejash të brendshme, kam marrë vendimin më të vështirë në jetën time politike: Të tërhiqem menjëherë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ky vendim nuk ka ardhur si pasojë e një momenti emocional, por si rezultat i një reflektimi të gjatë mbi rrugën time politike, mbi përvojat që kam kaluar dhe mbi realitetin aktual të kësaj lëvizjeje. Unë u bëra pjesë e VETËVENDOSJE!-s sepse besoja se ajo përfaqësonte një vizion të qartë për ndryshim shoqëror: drejtësi, barazi, përgjegjësi, solidaritet dhe guxim për t’u përballur me çdo padrejtësi, pa kompromis me parimet.

Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij. Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, thotë ai.

Dragidella theksoi se dorëheqja nuk është fundi i angazhimit të tij politik, por një fillim i ri jashtë kornizave të Vetëvendosjes, ku ai synon të vazhdojë të kontribuojë në interes të publikut dhe qytetarëve.

“Po largohem sepse nuk dua të bëhem pjesë e një realiteti që nuk përfaqëson më idealet me të cilat fillova këtë rrugë. Po largohem sepse nuk dua të bëj kompromis me bindjet e mia për hir të pushtetit partiak. Po largohem sepse dua të jem i ndershëm – me veten time, me punën time dhe me qytetarët që më kanë dhënë besimin e tyre. Nuk largohem nga politika, por nga një strukturë që nuk më lë më hapësirë për të vepruar me ndershmëri dhe transparencë. Udhëtimi im politik nuk mbaron këtu. Përkundrazi – fillon një kapitull i ri, ku do të vazhdoj të punoj për interesin publik, pa u lidhur me interesa të ngushta.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugë – kolegët që kanë ndarë me mua ideale dhe përpjekje, qytetarët që më kanë inkurajuar, dhe të gjithë ata që kanë besuar se politika mund të jetë mjet për të bërë mirë. Largohem me kokën lart, pa hidhërim personal, por me një ndjenjë të fortë përgjegjësie për të qëndruar besnik parimeve të mia. Besoj ende se ndryshimi i vërtetë është i mundur – por ai nuk vjen nga heshtja, as nga bindja e verbër. Ai vjen nga guximi për të thënë të vërtetën dhe për të vepruar ndryshe, edhe kur kjo do të thotë të largohesh nga rruga që dikur mendoje se ishte e vetmja”.