"Nëse në Alaska shkon mirë, Putin takon Zelenskin", Trump e kërcënon Moskën me pasoja para takimit - Gazeta Express
string(94) "nese-ne-alaska-shkon-mire-putin-takon-zelenskin-trump-e-kercenon-mosken-me-pasoja-para-takimit"

Gazeta Express

13/08/2025 19:35

“Nëse në Alaska shkon mirë, Putin takon Zelenskin”, Trump e kërcënon Moskën me pasoja para takimit

Gazeta Express

13/08/2025 19:35

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se një “takim i dytë i shpejtë” me Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn ka të ngjarë të pasojë samitin dypalësh të së premtes në Alaska, në rast se ai rezulton konstruktiv.

Duke folur në Qendrën Kennedy në Uashington dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Donald Trump tha se takimi i parë me Putinin do të jetë kryesisht “për të parë se ku jemi dhe çfarë po bëjmë”.

“Nëse takimi shkon mirë”, tha ai, atëherë do të ketë një takim të dytë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “dhe mua, nëse ata duan që unë të jem atje”.

Presidenti amerikan sqaroi, megjithatë, se ky takim i dytë nuk është i garantuar. “Mund të mos ketë një takim të dytë, sepse nëse gjykoj se nuk është e përshtatshme ta zhvillojmë, sepse nuk mora përgjigjet që duhej, atëherë nuk do ta zhvillojmë“, vuri në dukje ai.

Gjatë konferencës për shtyp, Donald Trump u pyet nëse Rusia do të përballej me pasoja në rast se Vladimir Putin nuk do të pranonte të ndalonte luftën në Ukrainë pas takimit të tyre në Alaska. “Po, do të ketë. Do të ketë pasoja“, u përgjigj në mënyrë kategorike presidenti amerikan.

Kur u pyet nëse këto pasoja do të përfshinin sanksione apo tarifa, Trump u kufizua duke thënë: “Nuk kam pse ta them këtë, do të ketë pasoja shumë serioze“.

Trump foli gjithashtu për videokonferencën e sotme me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë, duke e përshkruar atë si “shumë të mirë”. “Do t’i jepja një notë 10“, tha ai.

Këto deklarata të tij vijnë në një kohë veçanërisht kritike, pasi pritjet ndërkombëtare për një armëpushim në Ukrainë mbeten të larta, por pasiguria rreth rezultatit të takimit në Alaska është po aq intensive.

Skenari i samitit trepalësh u prezantua më parë nga CBS News, duke specifikuar se ai do të zhvillohej drejt fundit të javës së ardhshme.

Takimi kokë më kokë  midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin,  do të zhvillohet të premten në një bazë ajrore pranë Anchorage, qytetit më të madh të Alaskës, konfirmoi sot një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Samiti mbi luftën në Ukrainë do të mbahet në Bazën  Ajrore Elmendorf-Richardson, e cila përdoret si nga Forcat Ajrore të SHBA-së ashtu edhe nga Ushtria Amerikane. Për shkak të pistës së saj të gjatë, baza shërben gjithashtu si një ndalesë për furnizim me karburant për presidentin e SHBA-së ose ministrat e tij në udhëtime në Azi.

Ajo është një nga dy bazat kryesore ajrore në Alaska, nga ku avionët luftarakë amerikanë shpesh ngrihen për të kapur avionë rusë që i afrohen hapësirës ajrore të SHBA-së.

Alaska  është konsideruar një  zonë strategjikisht e rëndësishme që nga Lufta e Ftohtë dhe është gjithashtu shtëpia e një baze të madhe mbrojtëse nga raketat, në një kohë kur Presidenti  Donald Trump  po harton plane për “Kupolën e Artë” amerikane, një sistem të përparuar mbrojtës nga raketat për të mbrojtur të gjithë territorin e SHBA-së.