Një shoqëri që pranon t’i shndërrojë fjalët e saj më të çmuara në mall konsumi nuk ka shitur vetëm kujtesën, por edhe shpresën. Në këtë pikë, emri i lirisë nuk është më nder, është një etiketë e varur në një vitrinë të rreme, me çmim të ulur, në pazarin e madh të gënjeshtrave.
Fadil Sahiti
“Liria ka emër” – një proverb që dikur kishte peshën e një betimi solemn, sot tingëllon si një slogan i lodhur marketingu. Në një shoqëri ku fjalët e mëdha qarkullojnë si monedha të bakrit, kjo fjali, dikur e ngarkuar me histori dhe gjak, është kthyer në një etiketë ceremoniale, e ricikluar nga podiumet e politikanëve deri te statuset e Facebook-ut që shërbejnë si certifikata të rreme patriotizmi. Dikur e shqiptonim për të kujtuar emrat, fytyrat dhe plagët që nuk u mbyllën kurrë. Sot e përdorim për të mbushur boshllëkun mes një fjale të zbrazët dhe një duartrokitjeje të detyruar.
Në fillim ishte e vërtetë. Liria kishte emër, kishte fytyra, kishte varre. Kishte nëna që prisnin në prag me shpresë të zbehtë për një lajm për bijtë e zhdukur; kishte shokë që nuk u kthyen kurrë dhe pushkë që, pas vitit 1999, heshtën përgjithmonë. Kishte plagë që nuk shëroheshin me formularë dhe kujtime që as dekoratat nuk i shuanin. Ishte një fjalë që nuk mund ta shqiptoje pa ndier peshën e saj në kraharor. Por vitet kaluan dhe fraza hyri në qarkullim pa asnjë kontroll. U bë pronë publike në kuptimin më të keq të fjalës: e përdorin të gjithë, nuk e mbron askush; një fjalë që humbi vlerën nga inflacioni i përdorimit. Sot e gjen në fjalimet e atyre që nuk kanë parë kurrë barrikadë, në pankarta partish që kanë parë më shumë tenderë se beteja, madje edhe në reklama festive ku liria shitet si ofertë sezonale, bashkë me ulje çmimesh.
E çfarë vlere mund të ketë ky proverb, kur shumica prej nesh të gjallëve e përdor për protagonizëm patriotik? Lirinë e fituam, por çfarë bëmë me të në emër të saj? Kemi ndërtuar një shtet në të cilin e njëjta shumicë nuk do të donte të jetonte. Ne që jetojmë këtu, ose jetojmë falë privilegjeve të pamerituara që i shfrytëzojmë, ose sepse nuk kemi ku të shkojmë. Jetojmë në një vend ku gënjeshtra është bërë vlerë. Gënjen politikani në emër të patriotizmit, gënjen akademiku në emër të së vërtetës, gënjen drejtori i policisë, prokurori dhe gjykatësi në emër të drejtësisë. Dhe kështu, në këtë republikë të fjalëve të përmbysura, mashtrimi ka gjithmonë një justifikim fisnik në letër – por asnjë arsye të ndershme në realitet.
Çdo përdorim i kotë i proverbit “Liria ka emër” është një prerje tjetër në valutën e saj morale. Dikur ishte monedhë e fortë, e mbuluar nga sakrifica dhe gjaku i derdhur; sot, sa herë që një pushtetar e shqipton, tingëllon si një kartë krediti e konsumuar nga qindra transaksione të kota, por me limit zero. Nuk ndez më flakë në ndërgjegje, nuk hap më rrugë drejt reflektimit. Thjesht mbush boshllëqet e fjalimeve të recituara nga këshilltarë që besojnë se patriotizmi është çështje frazash të bukura për t’u duartrokitur, jo sakrificash të vërteta që kërkojnë mbrojtje dhe kujtim.
Në Kafkaland-in tonë, “Liria ka emër” është stampuar në çdo dokument zyrtar, bashkë me stemën, por nuk gjen vend në asnjë ligj që mbron qytetarin nga padrejtësia. Është kthyer në një relike muzeale të vendosur në raftin e pluhurosur të historisë, ndërkohë që përditshmëria e shkel si tapet për të kaluar në tenderin tjetër, për të justifikuar ndonjë privilegj të ri apo për të mbuluar një skandal të vjetër. Sot, nëse liria vërtet ka emër, ai do të ishte “Procedurë”, “Vulë” ose “Kushëriri që e rregullon punën”. Në letra e kemi me germa të arta, por në realitet ajo është një paciente në koma, që merr frymë vetëm falë aparateve të retorikës politike dhe oksigjenit artificial të propagandës.
Fraza është kthyer në një mall të lirë në tregun e fjalëve të konsumuar, një artikull që shitet me shumicë bashkë me premtimet e pambajtura. Politikanët e nxjerrin nga xhepi sa herë u duhet të mbulojnë një boshllëk në ndërgjegje ose një gropë në buxhet. E shpërndajnë nëpër podiume si falënderim për durimin e popullit dhe si justifikim për dështimet e tyre kronike. Media e merr, e riciklon dhe e servir deri në mpirje, derisa fjalët humbin çdo kuptim origjinal. Publiku e dëgjon si një melodi të konsumuar në sfond – të njohur, por të zbrazët – një reklamë televizive që e di përmendësh, por që nuk e beson prej kohësh. Ky është inflacioni i fjalëve: kur diçka që dikur ishte e shenjtë, sot nuk është më as kujtim, por një kartolinë pa adresë, që qarkullon vetëm për të justifikuar ata që nuk e meritojnë ta shqiptojnë.
Si përfundim, fjalët e mëdha janë si monedhat e forta: përdorimi i shpeshtë pa mbulesë reale i shndërron në metal të zakonshëm. Dhe kur “Liria ka emër” nuk është më kujtesë për ata që e sollën, por zbukurim për ata që e shfrytëzojnë, nuk kemi thjesht inflacion gjuhësor – kemi faliment moral. Sepse një shoqëri që pranon t’i shndërrojë fjalët e saj më të çmuara në mall konsumi, ka shitur jo vetëm kujtesën, por edhe shpresën e saj. Në atë pikë, emri i lirisë nuk është më një nder: është një etiketë në një vitrinë të rreme, me çmim të ulur, në tregun e madh të gënjeshtrave.
Autori është profesor në fushën e Menaxhmentit dhe Zhvillimit Industrial në RIT Kosova (AUK).