Shkrim mbi ekspozitën “Në kujtesën e së ardhmes” të artistit Shuk Oran, kuruar nga Shkëlzen Maliqi, e cila u hap për publikun në Hanin e dy Robertëve, më 7 gusht dhe do të qëndroj e hapur deri më 1 shtator.
Nga: Shkëlzen Maliqi
Titulli i ekspozitës “Në kujtesën e së ardhmes” tingëllon si paradoks, sepse kujtesa zakonisht i referohet së kaluarës, jo së ardhmes. Të ardhmen e flasin profetët. Megjithatë, mund të ketë edhe një lexim joparadoksal të kujtesës të së ardhmes, kur në rrjedhën e kohës, që zakonisht ndahet në tri pjesë konsekutive: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, i kujtojmë idetë dhe vendimet nga e kaluara që e kanë paracaktuar të ardhmen të cilën e jetojmë sot, duke ia parë edhe vazhdimësinë në të nesërmen. Me këtë evidencë të së tashmes, që është përjetimi i vetëm real, të ardhmes ia gjejmë burimin në kujtesë.
Një paradoks i ngjashëm mbi mbamendjen e së ardhmes eksplorohet në veprën e tij nga artisti Shuk Orani. Ndonëse krijimtaria e tij ka një diapazon më të gjerë konceptual, që përfshin realizime multimediale dhe të artit digjital, me vokacion bosht Orani përqendrohet te piktura e formatit klasik, shpesh me përmasa të mëdha. Për më tepër, klasik e ka edhe stilin e realizimit, me dy qasje apo stile që na rikthejnë në debatin e madh të Modernes rreth esencës së artit: a duhet të mbetet arti një imitim apo kopje figurative e një njëmendësie tashmë të krijuar nga një ose më shumë fuqi kreative (Zoti, natyra, njeriu…), ku arti vlerësohet për saktësinë, shkathtësinë dhe elegancën e “kopjimit”, të cilën Moderna e mohonte? Apo duhet vetë arti të konsiderohet një fuqi kreative, si në atë maksimën romantike L’art pour l’art të shekullit XIX, me të cilën, pak si lazdrueshëm, proklamohej çlirimi i artit nga çdo shërbim i mëhershëm fetar dhe ideologjik.
Shuk Orani, pa komplekse, krijon vepra me narrativë klasike figurative, krahas atyre abstrakte që nuk pasqyrojnë asnjë model, por janë krijime origjinale, të pashembullta, përveç atyre me forma gjeometrike dhe ngjyra me transparencë rrjedhëse e ekspresive.
Për më shumë, Orani krijon piktura ku qëllimshëm gërsheton motivet figurative me ato abstrakte, p.sh., tablotë me gra e burra në situata sociale (valle, banjo), krahas trajtave puro abstrakte. Mbase shembulli më tipik i këtij miksi është piktura me titull Galaksia, ku shohim gërshetimin e mjegullnajave kozmike të pështjelluara në trajtë spirale, ku imazhit i jepet pamja e dy grave që rrotullohen në përqafim, si simbolizim i botëkuptimit animist, që çdo gjë në gjithësi, edhe trupat dhe mjegullnajat qiellore, i sheh të shpirtëzuara.
Te cikli Homosapia 2000, të punuara me ngjyra lazure, mbizotëron motivi i grave gjysmë lakuriqe të shtrira lirshëm në sofa dhe kolltuqe, ku dominon atmosfera e sefasë dhe kënaqësive tokësore (Homosapia 20001), që duken tërheqëse, por me një dozë ironizimi dhe përçmimi.
Kurse abstraksioni mbizotëron në ciklin Transcendenca, ku Orani konstrukton modele racionale puro abstrakte të universit, të përbërë nga katrorë ose hoja të mjaltit, që i mbush me një lëngësi që simbolizon dimensionet e shtresuara të spiritualitetit (Transcendenca P 3, viti 2017).
Te Hani i 2 Robertëve ekspozohet për herë të parë një përzgjedhje nga opusi i Shuk Oranit, artist 50-vjeçar, i cili nga viti 1991 jeton në Hamburg të Gjermanisë, ku ka studiuar dhe është afirmuar si artist i klasit. Fadil Dragaj ka bërë një gjë të shkëlqyeshme që e ka ftuar Shuk Oranin, që të njihemi nga afër me veprën e tij. Diaspora shqiptare e shpërndarë në botë tani i tejkalon për nga numri shqiptarët që kanë mbetur në trevat e Ballkanit. Duhet të organizohet një bienale ose trienale për prezantimin më sistematik të artistëve nga diaspora në vendlindje, ndoshta duke alternuar vendndodhjen e ekspozitës në Kosovë dhe Shqipëri.