“Prshtina. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” në FTF - Gazeta Express
string(51) "prshtina-vrasja-e-paralajmeruar-e-nje-endrre-ne-ftf"

Arte

Gazeta Express

13/08/2025 13:34

“Prshtina. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” në FTF

Arte

Gazeta Express

13/08/2025 13:34

Në kuadër të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, më 6 shtator luhet shfaqja “Prishtina. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” me autor, Jeton Neziraj dhe regji të Blerta Neziraj.

Rreth shfaqjes:

Pikënisja e kësaj shfaqjeje është një histori krimi, e ndodhur 25 vjet më parë, në Prishinën e sapo çliruar që po administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Sipas të dhënave jozyrtare, mbi gjashtëdhjetë përqind e fshatrave shqiptare të Kosovës janë djegur e shkatërruar gjatë luftës nga ushtria dhe policia serbe. Prandaj, kur përfundoi lufta në qershor të vitit 1999, streha mbi kokë ishte njëra ndër çështjet më emergjente për shumicën e njerëzve. Administrata e Kombeve të Bashkuara nuk kishte zgjidhje të shpejtë për këtë problem. Por ‘zgjidhjen’ e ofruan njerëzit e nëntokës, biznesmenët e kompanitë e ndërtimit që u sulën për ta shfrytëzuar këtë ‘terren të plleshëm’ për përfitime personale.

Një shoqëri e tërë e traumatizuar nga lufta, në një përpjekje epike për t’iu rikthyer jetës, iu nënshtrua pavullnetshëm këtij grupi të nëntokës që u ofronte ‘zgjidhje’ banimi. Prishtina filloi të gëlojë nga ndërtesat që mbinin brenda natës, me cilësi të dobët ndërtimi, pa kurrfarë plani urbanistik e pa përfillur asnjë kriter ndërtimi. Parqet u kthyen në kantierë ndërtimi, hapësira publike u tkurr nga ndërtimet. Shtëpitë e vogla u rrënuan e mbi trojet e tyre mbinë rrokaqiej.

Atëbotë, arkitekti e planifikuesi hapësinor i Prishtinës, Rexhep Luci, pothuajse i vetëm, bënte përpjekje të vinte kontroll urbanistik. Por ajo nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj më 11 shtator të vitit 2000, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, ishte vrarë nga vrasës të panjohur.

Rexhep Luci është si doktor Stokmani i Ibsenit. Veçse, për të vërtetën e tij për Prishtinën, ai pagoi çmim shumë më të lartë.

Luajnë: Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj.