Eugen Cakolli nga IKD, ka komentuar emërimin e anëtarit të VV-së Mentor Hysenit, si drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, duke thënë se ky veprim është ‘‘shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike’’.
Cakolli ka thënë edhe se emërimi i Hysenit paraqet edhe përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe po ashtu, është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme.
Po ashtu, Cakolli ka thënë edhe se veprimi i Hysenit rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara.
Postimi:
Rrezikon ta shndërroj ATK në instrument politik, shembull tipik i kapjes të institucioneve publike
Pas serisë së shkeljeve kushtetuese e ligjore, sot kemi një hap tjetër në vendosjen e njerëzve të LVV-së në krye të institucioneve kyçe të vendit – institucione që do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimet politike.
Emërimi i një ish-kandidati për deputet në krye të Administratës Tatimore të Kosovës është shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike. Edhe më shqetësuese, ky veprim rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara.
Mbi të gjitha, ky vendim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, pikërisht në raport me (ish-)Ministrin e Financave.