Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me një kumtesë të ashpër kundër ish-kryetarit të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe ish-vartësit të tij Visar Ganiu, duke i akuzuar për keqmenaxhim, korrupsion dhe pasurim personal në dëm të qytetarëve të kësaj komune.
Në deklaratën e publikuar, BDI thekson se “Çairi nuk guxon të kthehet në duart e njeriut që për 20 vjet e shndërroi komunën në kompani private”, duke përmendur konkretisht ndërtimet e paligjshme dhe legalizimet e dyshimta që, sipas tyre, kanë shkaktuar humbje prej 225 milionë eurosh.
BDI akuzon Mexhitin se e ka përdorur Çairin si fushë për biznese private dhe se “nuk ka realizuar asnjë projekt të madh infrastrukturor apo zgjidhje të qëndrueshme për banorët”, ndërsa tani, sipas kumtesës, “në mungesë të mbështetjes nga shqiptarët, po kërkon ndihmën e Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së”.
“Çairasit nuk do të lejojnë që me paratë e krimit të fshihet vota e tyre”, përfundon deklarata e BDI-së, duke paralajmëruar një mobilizim për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, me synimin për t’i dhënë fund “epokës së ndërtimeve pa leje, krimit dhe shantazheve”.
tag_katrorimaqedoni_2