Menaxheri i Gigio Donnarummas, Enzo Raiola ka paralajmëruar padi ndaj Paris Saint-Germainit, me të cilin klienti i tij u nda papritur dje.
Portieri italian u la jashtë ekipit parisien ndonëse është njëri prej më të mirëve në botë në pozitën e tij dhe njëri prej më meritorëve në suksesin në Ligën e Kampionëve në edicionin e fundit.
“Nga fjalët e Gigio ju mund ta ndieni se ai ndihet mjaft keq me atë që ka ndodhur. Jam pa fjalë, mjaft i befasuar. Unë nuk e prisja këtë, kishte disa vite respekti dhe më pas për 10 ditë kolapsoi gjithçka”, deklaroi menaxheri italian për “Sky Sport Today”, përcjell “Gazeta Express”.
“Me ekipin tonë të avokatëve do ta konsiderojmë mundësinë e ankesës.”
“Gigio madje pranoi që t’i ulej rroga, ishte i lumtur, por më pas letrat në tavolinë ndryshuan sërish dhe PSG-ja e ndërroi mendjen.”
“Unë e kuptoj transferimin e një portieri tjetër… Por, duke e larguar Gigion nga ekipi në atë mënyrë për mua ishte një mungesë e madhe respekti nga trajneri dhe nga krejt Paris Saint-Germaini.”
“Mendoj se PSG-ja ka kërkesa të ekzagjeruara. Ata po flasin për respekt, por ka të bëjë veç me paratë. Kështu që, ne do ta kuptojmë më mirë në ditët në vazhdim se çka do të thonë ata. Edhe me avokatët e mi do të mundohem ta kuptoj pozicionin e tyre.” /Gazeta Express