Parku Natyror i Gërmjenit është përfshirë nga flakët prej ditës së djeshme dhe vijon të jetë aktiv edhe sot, duke shkaktuar shqetësim të madh për banorët dhe autoritetet lokale.
Për të dytën ditë radhazi, rreth 40 forca zjarrfikëse po punojnë në terren për të mbajtur flakët nën kontroll. Pavarësisht se vatrat nuk janë përhapur më tej, situata mbetet delikate për shkak të erës së fortë që favorizon zjarrin.
Shqetësim i veçantë është zona e minuar “Piramida 12”, në kufi me Greqinë, ku herë pas here dëgjohen shpërthime për shkak të minave të pashpërthyera. Për këtë arsye, në vendngjarje kanë mbërritur forcat xheniere nga Tirana, të cilat po punojnë për demontimin dhe neutralizimin e rrezikut.