Shumë zona të Shqipërisë janë në gjendje alarmante nga zjarret.
Kështu raporton Top Channel.
Situata më e rënduar është në Delvinë dhe në Gramsh.
Situata në Delvinë është bërë kritike pasi flakët i janë afruar rrezikshëm spitalit të qytetit. Korrespondentja e Top Channel Kristina Fidhi raporton se zjarri ka rrethuar qytetin nga veriu dhe lindja, duke detyruar policinë të evakuojë banorët nga dy lagjet e sipërme. Përmasat e tij cilësohen të jashtëzakonshme, ndërsa ndërhyrja ajrore nuk ka qenë e mundur gjatë natës. Dyshohet se disa banesa mund të jenë përfshirë nga flakët, por për momentin është e vështirë të bëhet evidentimi i dëmeve për shkak të tymit të dendur dhe qasjes së kufizuar në terren.
Gazetarja e Top Channel Bruna Kërçyku raporton se ka banorë të lënduar, por zjarrfikësit nuk kanë mundur dot të shkojnë për shkak të tymit.
Ia gjithë fshati Skënderbegas do të evakuohet ndërsa shumë banorë, mes lotëve për shtëpitë që po u digjen, refuzojnë të largohen.
Situata në Delvinë vijon të jetë kritike, ndërsa zjarri ka përfshirë zona të gjera dhe i është afruar rrezikshëm spitalit të qytetit.
Raportohet se policia ka evakuuar banorët e lagjeve Llakë, Mukurs dhe Xhermëhallë, ku gratë, fëmijët dhe pleqtë janë larguar nga shtëpitë, ndërsa burrat kanë mbetur për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit së bashku me zjarrfikësit dhe punonjësit e emergjencës.
Qyteti aktualisht është pa energji elektrike, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e situatës emergjente. Pacientët e spitalit janë strehuar për arsye sigurie në kinoteatrin e qytetit.