Tensione në Serbi: Persona të maskuar të SNS sulmojnë protestuesit – Institucionet heshtin përballë dhunës - Gazeta Express
string(103) "tensione-ne-serbi-persona-te-maskuar-te-sns-sulmojne-protestuesit-institucionet-heshtin-perballe-dhunes"

Lajme

Gazeta Express

13/08/2025 6:55

Tensione në Serbi: Persona të maskuar të SNS sulmojnë protestuesit – Institucionet heshtin përballë dhunës

Lajme

Gazeta Express

13/08/2025 6:55

Mbrëmja e djeshme ka kaluar në tensione të larta në qytetin e Vrbasit dhe Backa Palankës, ku qytetarët protestuan kundër Partisë Përparimtare Serbe (SNS), ndërsa përballë tyre ishin mbështetësit e kësaj partie, përfshirë edhe persona të maskuar.

Në Vrbas, qindra qytetarë u mblodhën para selisë së SNS për të shprehur pakënaqësinë ndaj situatës së fundit politike dhe një sërë incidentesh të raportuara. Protesta shpejt mori kahje të dhunshme kur nga të dy palët filluan të fluturojnë shishe, objekte të forta dhe fishekzjarre. Mbështetësit e SNS, sipas dëshmitarëve, përdorën fishekzjarre ndaj turmës protestuese, duke nxitur kaos dhe frikë.

Situata nuk ishte më e qetë as në Backa Palankë, ku qytetarët u mblodhën në një tubim solidariteti për bashkëqytetarin e sulmuar ditë më parë. Aty, mbështetës të SNS dhe persona të maskuar filluan të hedhin vezë, shishe dhe petarda drejt protestuesve, duke shkaktuar përleshje verbale dhe fizike.

Megjithëse në të dy qytetet ishte e pranishme policia, sipas dëshmive nga vendngjarja, ajo nuk reagoi ndaj dhunës së shkaktuar nga mbështetësit e SNS. Në një moment, në Vrbas, kordoni policor u thye dhe ndodhi kontakti fizik mes dy grupeve. Të dy palët vazhduan të përplaseshin me objekte, duke e kthyer qytetin në një arenë tensioni dhe pasigurie.

Banorët kanë shprehur shqetësimin për mungesën e reagimit institucional dhe kërkojnë hetim të menjëhershëm të dhunës dhe përgjegjësit që lejuan përshkallëzimin e situatës.