Ramë Manaj nuk e kishte paramenduar asnjëherë se 2 prilli i vitit 1999 do të ishte hera e fundit që do ta shihte djalin e tij, Yllin.
Përderisa ishte duke shkuar me dy vëllezërit e tij nga Kralani i Gjakovës ku po strehohej me familje, në Gllogjan të Deçanit, atij për një moment i bie ndërmend për djalin e tij. Sikur po e paralajmëronte intuita për atë që do të ndodhte më pas, ende pa u nisur, Manaj i bie pishman që nuk e mori djalin me vete.
Por atë ndjenja e pishmanit do ta shoqëronte përjetësisht nga 2 prilli i vitit 1999, pasi që nga ajo ditë ai nuk e pa asnjëherë më Yllin.
“Pas mëngjesit që kemi ngrënë në shtëpinë e Nezir Hysenit, unë me dy vëllezërit e mi jam nisë dhe për një sekondë ose të qindtën pjesë të sekondit kam thënë “se mora Yllin me veti”. Dhe s’e kam marrë me veti, ai ka mbetë aty dhe ka vazhdu qysh ka vazhdu. Ndërsa unë me dy vëllezërit kemi shku në Gllogjan, në kthim ka pasur granatime të mëdha. Jemi kthy prapë, ashtu ka vazhdu njëfarë odiseada tepër e rëndë, tepër e vështirë. Por çka është më e keqja ne e kemi marrë vesh që Kralani ka ndodhë shumë ditë më vonë, shumë ditë më vonë” – rrëfen ai.
Ramë Manaj për një kohë ka qenë edhe kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.
Përveç djalit të tij, ai vazhdon t’i ketë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë edhe gjashtë anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë.
Të gjithë të zhdukur nga Masakra e Kralanit më 4 prill 1999.
“Pa ndonjë renditje formale, është djali im Ylli Ramë Manaj; është djali i motrës Kushtrim Raci; është dhëndri Isa Gashi; është Bashkim Rexhepaj- djali i dajës; është Feriz Rexhepaj; dhe që është gjetë prej trupit Burim Rexhepaj një pjesë e skeletit”.
Sa vjet kanë qenë kur janë zhdukë, kur ka ndodhur ngjarja?
“Kanë qenë të ri, përveç të dhëndrit. Djali i motrës ka qenë nxënës i klasës 8-të, djali im ka qenë maturant i gjimnazit Luigj Gurakuqi. Vëllai ka qenë diku 23-24 vjeçar. Djemtë e dajës po ashtu të asaj moshe. Ndërsa dhëndri ka qenë pak më i vjetër, diku rreth 35-36 vjet”.
A janë krejt të zhdukur nga i njëjti vend, e njëjta ngjarje?
“Të gjithë janë në rastin e Kralanit. Më 4 prill në Kralan ka ndodhë ekzekutimi i 86 trupave, 86 njerëzve. Në fakt aty kanë qenë të strehuar në fshat një pjesë e madhe e qytetarëve të Klinës, edhe të fshatrave përreth. Më datën 2 prill kanë hy forcat serbe, ushtri dhe polici. Dhe janë grumbulluar njerëzit, masë e madhe e njerëzve, kanë nda meshkujt, ndërsa femrat dhe fëmijët i kanë liru. I kanë mbajt në shtet-rrethim pasditen e 2 prillit, mandej gjithë natën. Më 3 prill po ashtu, më 3 prill në mbrëmje ka qenë dita e shtunë, para tyre është paraqitur një kapiten i ushtrisë serbe atëherë, në fakt major Grujiq, edhe iu ka thënë se janë rrethana të luftës, po sjellim kamionë me iu përcjellë, edhe po iu lirojmë” – ka thënë Manaj.
Manaj rrëfen edhe momentin kur forcat serbe kishin marrë Yllin që po qëndronte me gjyshin e tij.
Sipas tij, serbët i kishin thënë babait të tij për Yllin se “këtë dhe 7 të tjerë kemi me t’i pre në qafë”.
“Po kemi qenë në Klinë dhe kemi shku në Kralan, por për fatin unë atë ditë nuk kam qenë aty sepse në mëngjes të 2 prillit kam shku me dy vëllezërit e mi dhe me një dhëndër tjetër, prej Kralanit në Gllogjan kur kemi pjesën tjetër të familjes, kryesisht fëmijë dhe pjesën femërore të familjes dhe nuk ka ndodhë aty. Ata në mbrëmje kanë sjell vetëm një kamion dhe në atë kamion ka hyp baba im me 40-50 vetë të tjerë. Baba im tash i ndjerë ka marrë djalin tim Yllin, nipin e tij për dore me e marrë me veti, por një polic serb i Gjakovës, përndryshe i Klinës Bora Joksimoviq ia ka marrë djalin tim prej dorës nuk ia ka lënë me hyp në kamion, edhe i ka thënë këtë edhe shtatë të tjerë kemi me t’i pre në qafë. Tekstualisht kështu i ka thënë. Dhe ai është nda aty dhe më nuk është pa Ylli, sepse Yllin dhe të tjerë i kanë mbajt edhe natën mes 3 dhe 4 prillit, në një numër diku rreth- ndoshta 200-300 vetë dhe të dielën e 4 prillit në mëngjes, diku rreth orës 08:00 – 08:30 ose 09:00 kanë liru pjesën më të madhe. 86 vetë i kanë nda, i kanë shpërnda nëpër shtëpi, nëpër bodrume, nëpër… dhe i kanë bo ekzekutimin në grupe” – vazhdon rrëfimin ai.
Manaj thotë se nga rasti i familjes së tij, është arritur që të identifikohet personi që ka marrë djalin e tij dhe e ka ndarë nga familja.
Por sipas tij, askush asnjëherë nuk është gjykuar e as dënuar për krimet në fshatin Kralan.
A është identifiku dikush prej zingjirit komandues ose prej ushtarëve serb që i kanë kry këto krime, edhe a është gjyku ose dënu?
“Jo, jo. Unë di vetëm direkt për Bora Joksimoviqin, sepse ai në rastin e familjes time është ai që i ka nda. Në fakt djalin së paku e ka marrë prej dorës së babës, edhe ka tregu se çfarë do të ndodhë me ta”.
Kështu, nuk ka të identifikuar të tjerë, përveç këtij që po e pamend?
“Jo, sigurisht. Aty është prezantuar publikisht edhe major Grujiq, një epror i ushtrisë serbe, serbo-jugosllave të atëhershme si epror i garnizonit të ushtrisë në Gjakovë. Edhe ju ka premtu, siç thash sjell kamion, ka sjell një kamion vetëm dhe të tjerët së paku unë nuk di”.
A ka dëshmitarë ose të mbijetuar nga masakra e Kralanit?
“Vetëm një. Hysen Krasniqi është, ai ka shpëtuar me katër plagë në trup dhe ai rrëfen qartë rastin e grupit të tij. Sepse thotë na kanë grumbulluar nga 7-8 vetë, 10 vetë deri në 12-13 vetë edhe na kanë fut një pjesë në këtë hyrje dhe një pjesë në atë hyrje. Për grupin e tij flet qartë e di kush ka qenë, nuk dinë për të tjerët por ka dëgju krisma dhe sa kanë përfunduar punën, kanë qenë thotë 7 policë, i kemi lut mos na ekzekutoni, mos na vrani. Ju kanë marrë shka kanë pasë dhe i kanë ekzekutu jo me rrafale, por me të shtëna një nga një për ta parë njëri-tjetrin dhe fati i tij ai kur është goditur ka ra dhe mbi trupin e tij kanë rënë trupa të tjerë dhe thotë se sa janë nisë ata, katër janë nisë ma herët, tre të fundit sa e kanë kthy shpinën prej nesh, ai ka shku zhagas. Bile thotë se kam bisedu unë me të, e kam edhe një intervistë të tij. Thotë po ta kishin kthy kokën prapa kishin me m’pa dhe sigurisht më kishin ekzekutu. Por fati i tij ka qenë, ka shku nja 2 kilometra jashtë katunit, e kanë gjetë dy ushtarë të UÇK-së dhe ka shpëtu me katër plagë të rënda në trup”.
Në kohën kur është ekzekutuar, Yll Manaj, djali i Ramës, ka qenë nxënës në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë.
Rama thotë se ai ka qenë i dhënë pas teknologjisë informative, e madje pa modesti, thotë se ka qenë një nga nxënësit më të mirë të gjeneratës.
Ëndrra e tij për të vazhduar shkollimin pas gjimnazit mbeti në gjysmë, sepse u vra dhe u zhduk nga forcat serbe.
Thatë që Ylli në atë kohë ka qenë në gjimnaz, vitin e fundit. Me çka është marrë në atë kohë, çka ka pasë pasion? A është marrë me sport?
“Ylli për shkak të vërtetës e them, më duket pa modesti, por ka qenë nxënësi më i mirë jo vetëm i gjeneratës së vetë, por ndoshta i gjitha gjeneratave në gjimnaz. Dhe e them shumë sinqerisht në tri vitet e fundit të jetës së tij, përveç gjumit dhe ushqimi kurrë, kurrë, kurrë nuk ke mujt me e pa pa libër në dorë. Ai ka qenë jashtëzakonisht i përkushtuar në shkencë, ka qenë ka folë gjuhën anglishte për habinë time tepër mirë. Ka qenë i orientuar shumë me teknologji informative. Në vitin ’96 unë kam pasë ble një kompjuter atëherë dhe punonte shumë mirë, punonte shumë mirë sa që me profesorin e tij, ky e ka ndihmu profesorin me teknologji në kompjuter, ndërsa ai e ka ndihmu në matematikë. Domethënë ka qenë një personalitet që ka premtu shumë. Temën e diplomës e ka lënë dorëshkrim, që jam i bindur se kish me mrri shumë jo vetëm për vetën e tij, por për kontribut pak më të gjerë”.
Çka ka pasë ndërmend me vazhdu në fakultet?
“Ai e ka pasë ndërmend teknologji informative me vazhdu, edhe pse atëherë nuk ka bisedu ende, ka pasë diplomën para vetit, por ka qenë i dhanun me teknologji informative shumë”.
Me 11 identifikimet që janë kryer së fundmi në muajin mars aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Në dhjetor të vitit 2024 Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Pagjetur.
Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian. /Kallxo.com/