I dënuar të paktën tri herë për armëmbajtje, vjedhje e shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, Mefail Shkodra, autori i dyshuar i vrasjes së trefishtë mesditën e së dielës në Gjilan kishte arritur me sukses t’i shmangej burgut. Ai më së shumti njihet për fajde, dhe në një rast kur bashkë me djalin e tij të madh ishin në paraburgim për këtë vepër, kishin arritur të dilnin nga qelia duke ofruar 70 mijë euro dorëzani. Pushtetarët kanë denoncuar “neglizhencën dhe tolerimin” që thonë se i është bërë atij nga sistemi i drejtësisë. Gjykata tregoi për dosjen penale të 52-vjeçarit, ndërsa përmendi mungesën e një aktakuze ndaj tij duke e drejtuar gishtin kah Prokuroria. Kjo e fundit, së bashku me IPK-në, po i heton katër zyrtarë policorë në Gjilan për ndonjë “lëshim apo përfshirje” të mundshme në veprimtarinë kriminale të Shkodrës. Ai dhe dy djemtë e tij vazhdojnë të jenë në arrati dhe janë shpallur në kërkim nga shteti. Policët që po hetohen tashmë janë suspenduar.
Gazeta Express
Mefail Shkodra dyshohet se i vrau tre persona mesditën e së dielës në Gjilan dhe u arratis bashkë me dy djemtë e tij, Edonisin (25) dhe Engjullin (22) nga një lokal në rrugën “Ibrahim Rugova” ku ndodhi ngjarja e rëndë.
52-vjeçari u shpall menjëherë në kërkim. Më vonë gjatë ditës Policia publikoi fotografitë dhe të dhënat edhe të djemve të tij, të cilët dyshohet se janë përfshirë gjithashtu në këtë rast.
Tre persona u vranë, dy prej tyre babë e bir. Dy nga ta vdiqën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa njëri nuk arriti t’u mbijetojë plagëve duke vdekur pak më pas në emergjencën e spitalit të Gjilanit.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla reagoi duke thënë se ishte “tronditur thellësisht” nga ngjarja e rëndë. Ai tha se ishte gjithashtu “jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri”.
“Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, shkroi ai në Facebook.
Sveçla tha se “është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale”.
Të nesërmen, ai i kërkoi Inspektoratit Policor që ta hetojë “çdo lëshim apo përfshirje” të ndonjë zyrtari policor në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës.
“Brenda kompetencave të mia kam urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Sveçla tha se “askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”.
“Pres që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe hallkat tjera të sistemit, veçanërisht drejtësinë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji”.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, tha të dielën se kishte marrë informacione nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se Mefail Shkodra dhe djali i tij i madh, Edonisi, kishin qëndruar në paraburgim nga 21 qershori i vitit të kaluar deri më 8 tetor për fajde dhe detyrim dhe se kjo masë u ishte ndërprerë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për veprat që ata dyshohen të kenë kryer tregon një problem serioz në trajtimin e rasteve nga institucionet e drejtësisë. Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit, mund të çojë në pasoja tragjike siç pamë sot me vrasjen e trefishtë”, shkroi Albulena Haxhiu në Facebook.
Ajo tha se “sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”.
Haxhiu të hënën nxori disa statistika që thonin se aktualisht vetëm 4 persona të dënuar për fajde mbahen në burgjet e Kosovës dhe se 8 të tjerë janë në paraburgim.
“Ky realitet është alarmues dhe tregon që pavarësisht ndikimit të madh që këto vepra kanë mbi jetën e qytetarëve, pasojat e tyre sociale dhe shpesh edhe tragjike, sistemi ynë i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkohet”, shkroi ajo.
Këto, sipas saj, “nuk janë thjesht vepra të izoluara, janë pjesë e një zinxhiri kriminal që godet më të pambrojturit dhe kontribuon në një ndjenjë të thellë padrejtësie në shoqëri”.
“Rastet e fundit tragjike janë një dëshmi e qartë për pasojat që sjell neglizhenca institucionale ndaj këtyre fenomeneve”.
Haxhiu kërkoi që këto raste të rishikohen “me urgjencë” dhe “të forcohet aspekti i hetimeve dhe ndjekjes penale për veprën penale të fajdes”.
“Ne nuk mund të flasim për një shtet të së drejtës derisa kriminelët ecin të lirë, ndërsa viktimat jetojnë në frikë dhe pasiguri”.
Gjykata e Gjilanit shpalos dosjen e Mefail Shkodrës
Ndërsa pushtetarët po e drejtonin gishtin kah institucionet e drejtësisë, Gjykata Themelore të hënën në mesditë publikoi një “sqarim për opinionin publik”.
Fillimisht, gjykata tha se “ndaj të personit të dyshuar Mefail (Fehmi) Shkodra nuk ka lëndë aktive” te ta. Por tregoi se 52-vjeçari ishte dënuar më herët për tri vepra penale.
“Ndërkohë, sa i përket dosjes së tij penale, ne bazë të evidencës ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Gjilan, personi Mefail Shkodra ka pasur 3 (tre) lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues”, njoftoi Themelorja.
Gjykata tha se në vitin 2018, ai ishte akuzuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve dhe ishte shpallur fajtor e dënuar.
Më herët, në vitin 2017, gjykata tha se ai kishte qenë i dënuar edhe për vjedhje të shërbimeve komunale.
Shkodra kishte qenë i dënuar edhe në vitin 2011 për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, njoftoi gjykata.
Themelorja e Gjilanit tha se s’i kishte në regjistrin e saj të evidencës penale djemtë e Mefailit, Edonisin dhe Engjullin.
Të lirë me 70 mijë euro dorëzani, Gjykata e Prishtinës e drejtoi gishtin kah Prokuroria për rastin e Shkodrës
Mefail Shkodra ishte marrë me fajde. Me të edhe djali i tij i madh, Edonisi.
Gjykata Themelore e Prishtinës tha se 52-vjeçari dhe djali i tij ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar. Ata, siç tha gjykata, kishin qëndruar në paraburgim për disa muaj, deri kur në tetor ishte pranuar një propozim për ta zëvendësuar masën e paraburgimit ndaj tyre me “masën e dorëzanisë”.
“Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ( lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjetë mijë euro), ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetë mijë euro)”, thuhet në një sqarim të gjykatës për Klan Kosovën.
Një gjyqtar i procedurës paraprake, më pas, kishte aprovuar këtë propozim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08.10.2024 përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. dhe ka obliguar të pandehurit që të lënë në hipotekë njësinë kadastrale në të cilën parcelë janë të ndërtuara dy objekte me shumë totale prej 354.000 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 70.000.00 (shtatëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurit M.Sh. dhe E.Sh”, tha gjykata.
Gjykata Themelore e Prishtinës tha se më nuk ka pranuar aktakuzë nga Prokuroria lidhur me çështjen penale ndaj Mefail Shkodrës dhe djalit të tij, Edonisit, andaj “kjo çështje penale gjendet në procedurë paraprake dhe gjendet në fazë të hetimeve”. Për të, gjykata këshilloi që të pyetet Prokuroria.
“Për njoftimin tuaj, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special nuk ka pranuar Aktakuzë nga PSRK lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., andaj pasi kjo çështje penale gjendet në procedurë paraprake dhe gjendet në fazë të hetimeve, për më shumë mund ti drejtoheni PSRK-së”.
Suspendohen katër policë në Gjilan, IPK dhe Prokuroria po i hetojnë për ndonjë lëshim apo përfshirje
Inspektorati Policor njoftoi mbrëmë se ka nisur një hetim paraprak i cili synon të hetojë “nëse ka pasur ndonjë lëshim apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan”.
“Bazuar në autorizimet ligjore dhe në rëndësinë e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan”, njoftoi IPK-ja.
Bazuar në këtë rekomandim, IPK tregoi se “janë suspenduar një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan”.
“Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Gjilan është duke zhvilluar hetime penale paraprake ndaj të lartcekurve lidhur me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale”, u tha në njoftim.
Hetimet, u tha se “janë në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e provave materiale, marrjen e deklaratave dhe veprime të tjera procedurale”.