Zyra e Avokaturës “Nexus Legal Services” ka dalë me deklaratë pas ngritjes së aktakuzës ndaj tre ish-zyrtarëve policorë për rrahjen brutale të një qytetari në Klinë në fund të muajit qershor.
Nezir Gashi, Enis Elezaj dhe Shkëlqim Saliaj akuzohen nga Prokuroria Themelore në Pejë për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, lajmërim apo kallëzim të rremë dhe lëndim të lehtë trupor.
“Nexus Legal Services” thotë se do të vazhdojnë të mbrojmë të drejtat dhe dinjitetin e klientit të tyre deri në marrjen e drejtësisë.
“Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre ish-zyrtarëve policorë për keqtrajtimin, lëndimin e lehtë trupor dhe lajmërimin e rremë ndaj klientit tonë Driton Krasniqi.Ne, përmes përfaqësimit ligjor, do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat dhe dinjitetin e klientit tonë deri në marrjen e drejtësisë. Aktakuzën dhe shkresat shkresat e lëndës i kemi kërkuar në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe sapo të pranojmë të njejtat do të kemi mundësi për të vazhduar kontributin tonë në mbrojtjen e mëtutjeshme të të drejtave të klientit tonë si palë e dëmtuar”, thonë në njoftim.