etëm brenda një dite në vendin tonë u vranë 4 persona. Në dy raste të ndara, vrasje e trefishtë në Gjilan e një në Prizren, ku u përdorën armë zjarri e mjete të mprehta, thika.
Ditë më parë, një vrasje tjetër u bë lajm tronditës. Një qytetar në Lipjan u gjet i varrosur në një arë pasi ishte vrarë me mjete të rënda nga persona ende të paidentifikuar.
Reagimet ishin të shpejta nga e para e shtetit, i pari i ekzekutivit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme e shumë përfaqësues institucionesh, që u bënë thirrje organeve të rendit e të drejtësisë që të ndërmarrin veprime urgjente dhe autorët të dalin para drejtësisë.
Nga Instituti për siguri dhe rezistencë, vlerësojnë se edhe më tej nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë i organeve të sigurisë dhe drejtësisë, që të rezultojë në parandalimin e vrasjeve.
“Ajo që është sfiduese është mungesa e një zinxhiri të mirëfilltë bashkëpunimi që fillon prej komunës ose stacionit policor atje ku fillojnë hetimet dhe që përcillet pastaj te prokuroria e te gjykata, pra në momentin që policia arreston dikënd dhe e bën një kallëzim penal ose dërgon të dhëna te prokuroria dhe gjykata rreth shkallës së hetimeve, nivelit të përfshirjes së individëve të caktum në krim dhe rrezikshmërinë që këta individë e parashohin, atëherë në prokurori dhe në gjykatë a është për shkak të mungesës së njohurive të duhura, a është për shkak të kapacitetit me vlerësu, nuk e bojnë vlerësimin e duhur”, ka thënë Skender Perteshi nga instituti Prevent.
Pertëshi vë në pah se në të shumtën e rasteve, zakonisht vrasësit janë të njohur më parë për policinë dhe drejtësinë.
“Nuk është vetëm rasti i individëve që shkaktuan vrasjen dhe krimet makabre dje që i bënë, por edhe në shumicën e krimeve që ndodhin në Kosovë, zakonisht individët kanë të kaluar kriminale dhe prokuroria dhe gjykatat nuk i marrin masat dhe intervenimet e duhura për të parandaluar një fenomen të tillë. Në rast se nuk ka një bashkëpunim ose një koordinim më të mirë të vlerësimit të rrezikshmërisë dhe ndjekjes së këtyre individëve atëherë këto raste edhe mund të përsëriten në përgjithësi”, ka thënë ai.
Ndërkohë, evidencat e policisë përgjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, janë thuajse të përafërta me vitin e kaluar, pa përfshirë këtu dy muajt e fundit. Pavarësisht se kjo periudhë vlerësohet sfiduese, policia vë në pah se siguria e përgjithshme në vend ka qenë kryesisht e qetë, e përcjellë me raste dhe incidente të natyrave të ndryshme, por e menaxhueshme.