Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka bërë me dije gjatë orëve të fundit janë evidentuar 30 vatra zjarri aktive në disa qarqe të vendit, ku ndërhyrja vijon me mjete tokësore dhe ajrore, por në shumë zona puna vështirësohet nga terreni i thyer dhe erërat e forta.
Në Qarkun Vlorë, situata është më e rënduar në Bashkinë Finiq, ku zjarri ka kaluar në fshatin Krane, pranë Syrit të Kaltër, duke rrezikuar fshatrat Krongj dhe Leshnicë e Poshtme. Në operacione janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Finiq, forca të ushtrisë dhe grupi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të mbështetur nga 2 avionë PZL grekë, një helikopter çek, një sllovak dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Në Parkun “Rëzom”, në majën e “Lucës” (njësia Vergo), terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen tokësore, ndërsa në Himarë, flakët kanë përfshirë pyjet me pisha në fshatrat Bolenë dhe Tërbaç. Zjarre aktive raportohen edhe në fshatrat Lukovë dhe Ninat (Bashkia Konispol).
Në Qarkun Lezhë, po monitorohen vatrat e izoluara në fshatin Malaj i Epërm (Bashkia Mirditë) dhe në fshatin Kolsh (Bashkia Lezhë), ku po punohet me mjete zjarrfikëse nga të dy bashkitë.
Në Qarkun Dibër, ndërhyrjet vazhdojnë në malin e Allushit (Bashkia Klos), malin e Kovashicës (Bashkia Bulqizë) dhe fshatin Kabe (Bashkia Dibër).
Në Qarkun Berat, flakët në Bashkinë Poliçan kanë kaluar pranë ujësjellësit dhe banesave, duke shkaktuar evakuime në fshatrat Plirëz dhe Rehovë. Një banesë dykatëshe është përfshirë nga zjarri. Në Backë (Skrapar) punohet për mbrojtjen e banesave.
Në Qarkun Tiranë, zjarri në malin e Bërzhitës po shuhet me forca tokësore dhe mbështetje ajrore. Në zonën e Arbanës, flakët kanë marrë përmasa të mëdha, ndërsa në Bashkinë Kavajë po punohet në fshatrat Peqinaj e Hajdaraj me mbështetje nga avioni Canadair kroat.
Në Qarkun Durrës, flakët në malin e Krujës dhe fshatin Barkanesh po mbahen nën kontroll të pjesshëm, megjithë terrenin e vështirë.
Në Qarkun Gjirokastër, zjarri në fshatin Lekël të Tepelenës po përhapet në dy drejtime, drejt fshatit Hormovë dhe faqes së malit Golikut.
Në Qarkun Elbasan, zjarre aktive raportohen në fshatrat Mukaj e Sojnik (Bashkia Gramsh), në Cërrik dhe në fshatin Hotolisht (Bashkia Librazhd).
Në Qarkun Shkodër, zjarret në Kodërboks, fshatin Stajkë (Vau i Dejës), qytetin e Pukës dhe fshatin Xath (Fushë Arrëz) po detyrojnë evakuime.
Në Qarkun Kukës, vatra në fshatin Gegaj (Tropojë) është nën kontroll.
Në ndihmë të operacioneve të shuarjes së zjarreve janë angazhuar avionë dhe helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare, si edhe mjete ajrore nga Kroacia, Greqia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të temperaturave të larta rreziku për zjarre mbetet i lartë dhe kërkohet kujdes maksimal nga qytetarët