48 orët e fundit në Kosovë kanë qenë të përgjakshme, pasi janë regjistruar pesë vrasje, dhe një i vdekur si pasojë e një aksidenti në komunikacion.
E fundit, ishte sonte në Hajvali të Prishtinës – ku siç tregojnë burimet e Gazetës Express viktima ishte 41-vjeçar, teksa motivet e vrasjes dyshohet të jenë mosmarrëveshjet në komunikacion.
Lajmi është konfirmuar për Gazetën Express nga Policia e Kosovës dhe Emergjenca e QKUK-së.
“Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që është në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është indentifikuar”, ka Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
“Një person me plagë nga arma e zjarrit është sjellur pa shenja jete”, ka thënë Syla”, ka thënë Naser Syla, drejtor i Emergjencës.
Ndërkaq, të dielën u regjistruan tre viktima në Gjilan, ku i dyshuari është Mefail Shkodra që bashkë me dy djemtë e tij janë të arratisur.
Kjo ngjarje tragjike ishte temë nacionale, ku ministri në detyrë Xhelal Sveçla kërkoi hetim në Polici, ndërkaq ministrja në detyrë Albulena Haxhiu kërkoi që gjyqtarët e prokurorët në rastin e Mefail Shkodrës të iu vihet masa disiplinore.
Inspektorati i Policisë ka treguar se me rekomandimin e tyre katër zyrtarë të policië janë suspenduar.
Një vrasje tjetër ndodhi në orët e mbrëmjes së djeshme. Në Prizren vdiq një person, pasi u ther për vdekje.
“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se mbrëmë me datë 10.08.2025, rreth orës 08:30 min, në lagjen Tusuz në rrugën “Lapidari” në Prizren, një person është therrur me mjet të mprehtë (thikë). Për shkak të lëndimeve të rënda, i njëjti është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK- në Prishtinë, mirëpo për shkak të plagëve në pjesën e gjoksit, viktima ka ndërruar jetë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkaq, të hënën një aksident ku u përfshin gjashtë vetura, për pasojë la të vdekur një person dhe dy të tjerë në gjendje të rëndë.
Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar Naser Syla nga Emergjenca e QKUK, numri i të lënduarve ishte 11, pjesa më e madhe janë liruar pas trajtimit mjekësor.
Shumë figura publike kërkuan nga shteti që të shtojë masat e sigurisë në vend, për shkak të numrit të madh të vrasjeve dhe aksidenteve. /Gazeta Express