Akademia e Forcave të Armatosura Shqiptare do të ketë një kampus të ri që do të përmbushë të gjitha parametrat e NATO-s.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar projekti e këtij kampusi, që është hartuar nga kompania ndërkombëtare “Bofill Taller de Arquitectura”.
Kampusi do të përfshijë hapësirë akademike, stërvitore, sportive, logjistike dhe komanduese.
Kryeministri Rama thotë se infrastruktura ushtarake shqiptare do të vijojë të modernizohet, teksa rritje ka shënuar edhe numri i aplikimeve me 1634 të interesuar për programet Bachelor.
“Modernizimi i infrastrukturës ushtarake nëpërmjet investimeve të Qeverisë Shqiptare po prek çdo qelizë të Forcave të Armatosura, bazuar në standardet më moderne të Aleancës.
Ky është projekti shumëfunksional i Akademisë së Forcave të Armatosura, i konceptuar nga kompania me famë botërore “Bofill Taller de Arquitectura”, që reflekton një frymë të re arkitekturore ku shkrihen mes tyre zonat akademike, stërvitore, sportive, logjistike dhe komanduese, për ta zhvendosur kampusin akademik drejt konceptit bashkëkohor të NATO-s.
Investimi në kapitalin njerëzor mbetet në fokusin tonë dhe kjo reflektohet në rritjen e ndjeshme të numrit të aplikimeve për sezonin e ri, me 1634 të rinj të interesuar për programet Bachelor”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama në Facebook.