E pabesueshme por e vërtetë, zbulohet mbishkrimi i dytë i perandorit Justinian në “Ulpianë” - Gazeta Express
string(88) "e-pabesueshme-por-e-vertete-zbulohet-mbishkrimi-i-dyte-i-perandorit-justinian-ne-ulpiane"

Lajme

Gazeta Express

11/08/2025 9:59

E pabesueshme por e vërtetë, zbulohet mbishkrimi i dytë i perandorit Justinian në “Ulpianë”

Lajme

Gazeta Express

11/08/2025 9:59

Ishte e jashtëzakonshme kur para dy vitesh në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, është gjetur një mbishkrim nga vetë Justiniani, pasi nuk kishte mbishkrime drejtpërdrejtë nga ai. E tash është e pabesueshme pasi gjetëm mbishkrimin e dytë nga Justiniani, i cili po tregon saktë datën e rindërtimit të qytetit.

Kështu ka thënë profesori francez, Christophe Goddard, i cili drejton ekipin e arkeologëve francez. Ata së bashku me arkeologët nga Italia dhe Kosova, kanë bërë zbulime të jashtëzakonshme në Parkun Arkeologjik “Ulpianë”, ku prej vitit 2017 po punohet për të hulumtuar të kaluarën e qytetit antik.

Ata përveç shumë fakteve tjera, kanë zbuluar dy mbishkrime unike që i përkasin vetë perandorit Justinian, gjurmë të rralla në botën romake dhe që ndodhen në të njëjtën ndërtesë në qytetin e quajtur “Justiniana Secunda”.

Kjo zonë, që është rindërtuar pas një tërmeti që ka shkatërruar qytetin e Ulpianës në vitin 518 pas Krishtit, ka qenë në fokusin e gërmimeve për të nxjerrë në dritë historinë e saj. Qyteti i ri “Justiniana Secunda”, ndërtuar rreth një kilometër në lindje të vendbanimit origjinal, zë një sipërfaqe prej rreth 19 hektarësh dhe ka në zemër një kishë të madhe kristiane, e cila konsiderohet një nga më të mëdhatë në qytetet provinciale të kohës.

Profesori francez, Christophe Goddard, i cili po udhëheq gërmimet u deklarua për KosovaPress, se interesi i arkeologëve lidhet me një gërmim që ndodhi në vitin 1953, që zbuloi ekzistencën e qytetit të Ulpianës.

Përmes vrojtimit gjeofizik të terrenit, ekipit iu dha mundësia të krijojë një plan të detajuar të qytetit, duke zbuluar rrugët kryesore dhe ndërtesat e mëdha. Kisha, me dimensione 79 metra gjatësi dhe 23 metra gjerësi, tregon rëndësinë fetare dhe kulturore që ky qytet ka pasur në periudhën e Justinianit.

Mbishkrimi i parë i zbuluar daton ndërtimin e qytetit në periudhën midis viteve 535 dhe 545, ndërsa mbishkrimi i dytë përcakton me saktësi vitin 545, duke konfirmuar kohën e rindërtimit të kishës.

Ky zbulim është jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi është hera e parë që në një qytet provincial gjenden dy mbishkrime të tilla të përvetësuara nga Justiniani.

“Ishim me fat që para dy vitesh gjetëm një mbishkrim nga vetë Justiniani. Ishte i vetmi që njihnim. Nuk kishim mbishkrime drejtpërdrejtë nga Justiniani. Kishim mbishkrime romake që e përmendnin atë, por jo nga dora e tij. Është unik dhe ndodhet pikërisht në këtë ndërtesë. E gjetëm atë para dy vitesh. Dhe këtë vit, ishim në një ndërtesë tjetër dhe bëmë një sërë zbulimesh, njëra prej tyre ishte një mbishkrim i ri që e daton me shumë saktësi momentin kur u ndërtua bazilika. Mbishkrimi i parë u publikua para dy muajsh me një studim shumë të kujdesshëm, ku mundëm të themi se ky qytet u ndërtua mes viteve 535–545, bazuar në analizën e atij mbishkrimi të parë. Ndërsa mbishkrimi i dytë jep datën e saktë – është mes janarit dhe prillit të vitit 545. Pra, kishim të drejtë, por tani kemi një saktësi të re, dhe kemi shumë saktësi të tjera që po i studiojmë ende në tekst. Të gjesh një mbishkrim të Justinianit ishte tashmë e jashtëzakonshme – të gjesh dy në të njëjtën ndërtesë është e pabesueshme. Kjo është përsëri befasuese. Edhe pse, në një farë mënyre, nuk është surprizë, sepse dimë që Justiniani – që ishte nga kjo krahinë – ishte shumë i lidhur me të.”, tha ai.

Goddard gjithashtu tha se financimi i projektit mbështetet kryesisht nga Bashkimi Evropian, Ministria e Jashtme e Francës dhe Ministria e Kulturës e Kosovës. Gjithashtu, ndihma e Qeverisë së Kosovës ka qenë vendimtare për blerjen e tokës ku ndodhen gërmimet, duke mundësuar mbrojtjen e këtij pasurie historike nga aktivitete si bujqësia.

Për KosovaPress u deklarua edhe arkeologu Ilir Culaj, i cili u shpreh i lumtur për këto gjetje të reja.

Culaj shprehet se gërmimet po zhvillohen nga një projekt ndërkombëtar që njëkohësisht po ndihmon edhe studentët e antropologjisë që të angazhohen në gërmime.

Ky projekt jo vetëm që kontribuon në zbardhjen e historisë së Ulpianës dhe Justiniana Secunda, por edhe përgatit brezat e rinj të arkeologëve përmes programeve të trajnimit ndërkombëtar, duke lidhur të kaluarën me të ardhmen e kërkimit shkencor në Kosovë dhe më gjerë.