Punë e kryer: De Winter transferohet në Milan - Gazeta Express
string(44) "pune-e-kryer-de-winter-transferohet-ne-milan"

Futboll

Gazeta Express

10/08/2025 22:34

Punë e kryer: De Winter transferohet në Milan

Futboll

Gazeta Express

10/08/2025 22:34

AC Milan ka gjetur pasuesin e Malick Thiaw. Pas raportimeve të mëngjesit të sotëm, tashmë burime të shumta në Itali dhe vetë gazetari Fabrizio Romano kanë konfirmuar se Koni De Winter do të jetë përforcimi i ri në mbrojtjen kuqezi.

Një ndër gazetarët më të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano ka shkruar se tashmë kalimi i De Winter në Milan është një punë e kryer.

“Marrëveshje verbale me Genoan dhe lojtarin, paketë rreth €20M. Detajet e fundit në proces, testet mjekësore në Milano në fillim të javës së ardhshme. Kontratë afatgjatë gati për t’u nënshkruar”, ka shkruar ndër të tjera Romano.

Sipas “Sky Sport Italia”, “Sportitalia” dhe “Tuttomercatoweb”, Milani ka arritur marrëveshje verbale me Genoa-n dhe me vetë lojtarin. Paketa e transferimit pritet të jetë rreth 20 milionë euro, me klubet që po finalizojnë detajet e fundit përpara se të jepet “drita e gjelbër” për testet mjekësore në Milano, të parashikuara në fillim të javës së ardhshme.

Pse De Winter dhe jo Leoni?

Fillimisht, kur Milani pranoi ofertën e Newcastle United për Malick Thiaw (mbi 40 milionë euro me bonuse), ideja ishte që këto para të reinvestoheshin për Giovanni Leoni nga Parma, i vlerësuar 40 milionë euro.

Megjithatë, drejtuesit kuqezi kanë zgjedhur De Winter-in për disa arsye:

Kushton gjysmën e shumës së Leonit (18-20 milionë euro)

Ka më shumë eksperiencë në Serie A

Trajneri Massimiliano Allegri e njeh mirë nga koha e përbashkët te Juventusi

Për më tepër, Genoa e bleu De Winter-in nga Juventusi për 8 milionë euro në vitin 2024 dhe “Zonja e Vjetër” ka të drejtë të marrë 20% të shumës nga shitja e tij e ardhshme.

Kush tjetër e do belgun?

Interi ka treguar interes, ashtu si edhe disa klube të Premier League, përfshirë Bournemouth dhe Tottenham Hotspur. Por duket se Milani ka bërë lëvizjen vendimtare dhe është vetëm çështje ditësh para se belgu të prezantohet si kuqezi.

De Winter do të nënshkruajë një kontratë afatgjatë dhe pritet të bëhet pjesë kyçe e mbrojtjes së Milanit për sezonet e ardhshme. /GazetaExpress/