Kurti pa legjitimitet, zyrtarët që vijnë për vizita e takojnë vetëm jashtë institucioneve - Gazeta Express
string(88) "kurti-pa-legjitimitet-zyrtaret-qe-vijne-per-vizita-e-takojne-vetem-jashte-institucioneve"

Lajme

Gazeta Express

10/08/2025 10:53

Kurti pa legjitimitet, zyrtarët që vijnë për vizita e takojnë vetëm jashtë institucioneve

Lajme

Gazeta Express

10/08/2025 10:53

Zyrtarët e lartë ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën nuk po e takojnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në zyrën e tij pasi nuk duan t’i japin përkrahje një qeverie pa legjitimitet të plotë, thonë analistët politikë.

Sipas tyre, ky është një mesazh politik i distancës me qeverinë aktuale në detyrë.

Kosova nuk ka themeluar institucionet edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, vendin e ka vizituar përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, dhe së fundmi zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Baker, të cilët kanë zhvilluar takime me Kurtin, por jo në Zyrën e Kryeministrit, mirëpo në darka zyrtare.

Ndërkaq, Gjykata Supreme, javë më parë ka marrë vendim ku thekson se ushtrimi i detyrës së ministrit, njëkohësisht edhe deputet i certifikuar, është në shpërputhje me dispozitat kushtetuese.

Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress, se takimet e Kurtit me përfaqësuesit ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën po zhvillohen jashtë institucioneve shtetërore, për shkak se të njëjtit nuk duan t’i japin përkrahje kryeministrit në detyrë.

Ndërkaq, ish-diplomati, Blerim Canaj, thotë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet, prandaj ndërkombëtarët Kurtin po e takojnë më shumë si kryetar i LVV-së.

Sipas tij, zhvendosja e takimeve në ambiente jozyrtare është një mesazh politik: bashkësia ndërkombëtare po mban distancë nga qeveria aktuale.

Pas 54 dështimesh për konstituim të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të premten ku vendosi që deputetët të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve. Po ashtu, Kushtetuesja përcaktoi që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Partitë parlamentare asesi nuk kanë mundur të zgjedhin trupat e Kuvendit, ku kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në gjashtë tentime me votim të hapur nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, ndërsa në 48 tentime ka dështuar të formohet komisioni për votim të fshehtë, i cili u konsiderua jokushtetues nga gjykata. /KP/